Mercedes pezullon investimet në fabrikat në Gjermani

Mercedes pezullon investimet në fabrikat në Gjermani

Written by

in

Në bisedimet për uljen e kostove te Mercedes ende nuk ka shenja për zgjidhje. Tani drejtuesit e koncernit kanë pezulluar të gjitha investimet në fabrikat në Gjermani dhe duan të shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së tyre.

Te prodhuesi i automobilëve, Mercedes, negociatat për kostot me këshillin e punëmarrësve dhe sindikatën IG Metall kanë ngecur. Në këtë situatë, drejtuesit e koncernit kanë njoftuar se do të shqyrtojnë mundësinë e mbylljes së fabrikave në Gjermani për shkak të kostove të larta të prodhimit. Gjithashtu është vendosur që “të ndalen të gjitha investimet e mëtejshme në fabrikat në Gjermani”, deklaroi drejtori i prodhimit, Michael Schiebe, në një intervistë të publikuar në intranetin e koncernit.

Pavarësisht bisedimeve të shumta dhe intensive, aktualisht ende nuk shihet ndonjë “korridor zgjidhjeje” dhe, me strukturën aktuale të kostove, nuk mund të investohet në Gjermani, argumentoi Schiebe.

Drejtuesit kërkojnë lëshime nga punonjësit

Me këto njoftime koncerni po shton presionin ndaj punonjësve. Kompania ka nevojë për një vendim në negociatat me këshillin e punëmarrësve, në mënyrë që nga ana e punonjësve të bëhen disa lëshime, deklaroi drejtoresha e kuadrit Britta Seeger.

“Aktualisht një vendim i tillë nuk duket në horizont. Prandaj tani jemi të detyruar të shqyrtojmë konkretisht dhe në detaje se cilat fabrika në Gjermani mund të vazhdojmë t’i përballojmë.” Sipas saj, mbylljet duhen shmangur “me çdo kusht”, por tani fatkeqësisht kjo mundësi duhet shqyrtuar më konkretisht.

Drejtori i prodhimit Schiebe theksoi në intervistë, se kostoja e një ore pune në prodhim në Gjermani është në disa raste deri pesë herë më e lartë se në fabrikat në Evropën Lindore. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, modelet e reja do të prodhohen vetëm jashtë Gjermanisë.

Seeger iu referua gjithashtu negociatave aktuale për pagat në industrinë e metalurgjike dhe atë elektrike. IG Metall kërkon një rritje page prej pesë për qind. “Një rritje e tillë do t’i shtonte edhe më tej kostot tashmë të larta të punës në Gjermani, ndonëse ato janë që tani tepër të larta krahasuar në nivel ndërkombëtar.”

Kërkohet javë pune 40-orëshe në vend të asaj 35-orëshe

Në total, Mercedes ka dymbëdhjetë qendra prodhimi në Gjermani. Aktualisht, kompania po zhvillon bisedime për të ashtuquajturën “ofensivë të produktivitetit”, me të cilën synohet ulja e kostove.

Për shkak të rënies së fitimeve në sektorin e veturave, drejtuesit kërkojnë që punonjësit të punojnë më gjatë pa kompensim shtesë në pagë. Është diskutuar për një javë pune prej 40 orësh në vend të 35 orëve. Për këshillin e punëmarrësve dhe IG Metall kjo është një vijë e kuqe, pasi java 35-orëshe konsiderohet një nga arritjet kryesore të sindikatës.

Kushtet në të cilat u arrit atëherë marrëveshja për shkurtimin e orarit të punës nuk ekzistojnë më, argumentoi Seeger. Sipas saj, një numër më i madh orësh pune do të mund ta rriste shpejt produktivitetin, pa prekur drejtpërdrejt pagat e punonjësve. Megjithatë, menaxhmenti synon të ndërhyjë edhe te pagesat shtesë, përfitimet vullnetare si pjesëmarrja në fitim, si edhe te komponentë të përcaktuar nga kontratat kolektive, si shpërblimet për pushimet dhe Krishtlindjet.

“Në një mjedis jashtëzakonisht sfidues”

Schiebe tha, se e kupton që “masat për të cilat po diskutohet kërkojnë shumë nga punonjësit tanë”. Por tani duhet vepruar: “Ndodhemi në një mjedis jashtëzakonisht sfidues, të karakterizuar nga tarifat doganore, presioni mbi çmimet, kërkesa më e ulët në treg dhe konkurrenca e fortë, veçanërisht nga Kina.”

Seeger deklaroi se edhe drejtuesit e koncernit do të pranojnë sakrifica financiare. Sipas saj, drejtuesit nuk kanë marrë rritje page në dy raundet e fundit të rritjes së pagave.

Mercedes është përballur gjatë viteve të fundit me rënie të shitjeve dhe të fitimeve. Schiebe ka hedhur në diskutim që disa javë më parë mundësinë e mbylljes së dy fabrikave në Gjermani, nëse kostot nuk ulen. Në këtë rast do të prekeshin një fabrikë gjermane e montimit të karrocerive dhe një fabrikë gjermane e sistemeve të lëvizjes (powertrain). Në fabrikat e powertrain-it prodhohen komponentë për automjetet.

Burimi: RTKLive