
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se është parandaluar futja e një substance të dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit, substanca është zbuluar gjatë kontrolleve të rregullta të realizuara nga stafi i Sigurimit, në fillim të ndërrimit të punës.
Gjatë kontrollit janë inspektuar edhe hapësirat e shëtitoreve brenda rrethojës së institucionit, ku është gjetur substanca e dyshuar, transmeton Klankosova.tv.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa substanca është konfiskuar.
Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se kontrollet e rregullta dhe vigjilenca e stafit janë pjesë e angazhimit për ruajtjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve dhe substancave të palejuara në institucionet korrektuese.