Çitaku i përgjigjet BE-së: Kërkesa për drejtësi dhe integrimi evropian nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën

Çitaku i përgjigjet BE-së: Kërkesa për drejtësi dhe integrimi evropian nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën

Written by

in

Çitaku i përgjigjet BE-së: Kërkesa për drejtësi dhe integrimi evropian nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kërkesa për drejtësi në procesin në Hagë dhe integrimi evropian i Kosovës ecin së bashku.

Në një përgjigje për Gazetën Express lidhur me deklaratat e Bashkimit Evropian për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Çitaku ka theksuar se PDK-ja i trajton seriozisht shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe pret diskutim të mbështetur në argumente juridike.

“Partia Demokratike e Kosovës i merr seriozisht shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara. Partneriteti me BE-në dhe respektimi i obligimeve ndërkombëtare janë pjesë e orientimit tonë të palëkundur shtetëror. Pikërisht për këtë arsye, presim që diskutimi për ligjin të zhvillohet mbi dispozita konkrete dhe argumente juridike”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka përsëritur ftesën për përfshirjen e BE-së dhe partnerëve të tjerë në procesin e amendamentimit të ligjit, duke theksuar se konsultimet duhet të reflektohen në përmbajtjen e ndryshimeve, transmeton Klankosova.tv.

“Ne kemi paralajmëruar një proces amendamentimi dhe kemi shprehur publikisht gatishmërinë për konsultime. E përsërisim ftesën për Bashkimin Evropian, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe ekspertët juridikë që të kontribuojnë me vërejtje dhe propozime konkrete. Për ne, konsultimi duhet të ketë ndikim real në përmbajtjen e ndryshimeve”, ka thënë ajo.

Çitaku ka kërkuar që me të njëjtin seriozitet të dëgjohen edhe shqetësimet për drejtësinë e procesit në Hagë, duke nënvizuar përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vendit.

“Presim që edhe shqetësimet tona për standardet dhe drejtësinë e procesit në Hagë të dëgjohen me të njëjtin seriozitet. Përgjegjësia e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj mbetet e plotë edhe kur këto çështje janë politikisht të vështira”, ka theksuar Çitaku.

Në përfundim, ajo ka riafirmuar se PDK-ja do ta vazhdojë angazhimin në bashkëpunim me aleatët, duke e konsideruar garantimin e një procesi të drejtë përgjegjësi shtetërore.

“PDK-ja do ta vazhdojë këtë angazhim me vendosmëri, transparencë dhe në bashkëpunim me aleatët. Për ne, integrimi evropian dhe kërkesa për drejtësi ecin së bashku. Çlirimtarëve në Hagë u takon një proces i drejtë, ndërsa shtetit të Kosovës i takon të angazhohet që ky standard të garantohet”, ka përfunduar Çitaku.