
Një rast i dhunës në familje në Prishtinë ka marrë një kthesë tjetër pasi Policia, gjatë kërkimit të një 37-vjeçari të denoncuar nga e dashura e tij, ka siguruar informacione se ai posedonte armë zjarri. I dyshuari është lokalizuar në një kafeteri, ku gjatë kontrollit është gjetur një pistoletë me shtatë fishekë, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar pas mesnatës së 13 nëntorit, rreth orës 00:30, në rrugën “Sadik Zeneli” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima R.D. 31 vjeçare ka njoftuar Policinë se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëjetuesi i saj, V.J. 37 vjeçar, i cili më pas ishte larguar nga banesa.
Pas denoncimit, gruaja është shoqëruar në Stacionin Policor Jugu, ku është intervistuar nga hetuesja për dhunë në familje.
Ndërkohë, njësitë policore kanë pranuar informacione se i dyshuari mund të kishte armë zjarri me vete.
Gjatë kërkimeve, 37-vjeçari është lokalizuar në kafeterinë “Onyx”, në rrugën “Xhemajl Mustafa”.
Pas konsultimit me Prokurorinë, Policia ka kryer kontroll në lokal, ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.65 mm.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe pronari i kafeterisë.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj 37-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali