
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kërkuar që sigurimi i barnave esenciale dhe trajtimi i pacientëve me kancer të jenë prioritete reale në buxhetin e Kosovës.
Duke folur në Kuvend, ku ka kërkuar interpelancë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ajo ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e pacientes me kancer, e cila mbeti katër muaj pa marrë terapinë e nevojshme para se të vdiste.
“Duam të dërgojmë një mesazh të qartë: shëndetësia, trajtimi i pacientëve me kancer, sigurimi i barnave esenciale dhe përmirësimi i kushteve shëndetësore duhet të jenë prioritete reale buxhetore e jo vetëm premtime në letër”.
Jashari tha se Kushtetuta mbron dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për jetë, ndërsa Ligji për Shëndetësi përcakton përgjegjësitë e institucioneve për organizimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor.
“Sot po flas për jetën, dinjitetin dhe shpresën e mijëra qytetarëve që po përballen me sëmundjen e rëndë të kancerit”, ka thënë ajo.
Jashari ka shtuar se familjes së pacientes që humbi jetën i detyrohen një përgjigje, ndërsa pacientëve që aktualisht janë në trajtim, sigurinë se nuk do të përballen me të njëjtën situatë. /Klankosova.tv