
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar se furnizimi me barna për nevojat e Klinikës së Onkologjisë gjatë vitit 2026 nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në interpelancën e thirrur në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka renditur disa nga arsyet që kanë ndikuar në mungesën e barnave.
Ai ka përmendur mungesën e autorizimeve për disa barna, vonesat në furnizim për shkak të procedurave, dështimin e tenderëve për shkak të mungesës së ofertuesve, si dhe rastet kur ofertat kanë tejkaluar shumën e parashikuar në bazë të çmimeve zyrtare të barnave.
Ministri ka përmendur si barna me vonesa në furnizim Palbociclib, Bevacizumab (Avastin), Dabrafenib, Bicalutamide dhe Sorafenib, raporton Klankosova.tv
Duke iu referuar raporteve të SHSKUK-së, QKUK-së dhe Klinikës së Onkologjisë, Vitia ka paraqitur edhe numrin e pacientëve që nuk e kanë marrë terapinë në klinikë për shkak të mungesave, por e kanë siguruar atë në mënyrë private.
Sipas të dhënave të prezantuara nga ai, 236 pacientë janë përballur me mungesa për barnat e përmendura.
“Palbociclib: 70 pacientë janë përballur me mungesë, dy cikle mungesë
Bevacizumab (Avastin): Rreth 70 pacientë, me mungesë që ka zgjatur rreth 13 javë.
Dabrafenib: 12 pacientë, me mungesë prej 20 javësh.
Bicalutamide: Rreth 70 pacientë, me mungesë prej 12 javësh.
Sorafenib: 14 pacientë, me mungesë prej tetë javësh” , raporton Klankosova.tv
Ministri tha se sipas raportimeve dhe dokumenteve të Klinikës së Onkologjisë, secili pacient është vlerësuar individualisht dhe për secilin është hartuar raport përkatës.
Vitia ka bërë të ditur gjithashtu se një raport i auditimit të brendshëm, i iniciuar nga Ministria, ka evidentuar raste të vonesave ku zyrtarët kanë mundur të reagojnë më herët.
Për këto raste, sipas tij, janë iniciuar procedura disiplinore dhe pritet që komisioni disiplinor të marrë vendimet përkatëse, transmeton Klankosova.tv