
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike gjatë pesë vjetëve e dhjetë muajve të fundit, duke kërkuar nga Qeveria të japë llogari për gjendjen në sektorin e energjetikës.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Ramadani ka kritikuar varësinë e vendit nga importi i energjisë elektrike, duke vlerësuar se me shumën e shpenzuar për blerjen e rrymës do të mund të ndërtohej një termocentral i ri.
“Për pesë vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë, edhe shtrenjtë. 1 miliard e 55 milionë është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. Me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar një termocentral. Dhe pyetja është pse nuk është ndërtuar?”, ka thënë Ramadani.
Ai ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë për mbylljen e projektit të termocentralit të ri, si dhe ndërprerjen e kontratës me kompaninë “ContourGlobal”, duke pretenduar se këto vendime e kanë rritur varësinë e Kosovës nga importi.
“Kjo qeveri prej vendimeve të para e ka mbyllur projektin e termocentralit të ri. E ka mbytur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete. E ka hapur derën për të blerë rrymë. Edhe ndërprerja e kontratës me ‘ContourGlobalin’. Shifrat janë të tmerrshme, e papërgjegjësia është e pafalshme”.
Sipas tij, varësia nga importi e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe rajonale, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria të tregojë se çfarë masash ka ndërmarrë për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e burimeve të reja e të qëndrueshme të energjisë.
Ramadani ka bërë të ditur se vetëm gjatë së enjtes Kosova ka blerë energji elektrike në vlerë prej 938 mijë eurosh. Ai ka shtuar se kjo mund të jetë njëra nga ditët me shpenzimet më të ulëta për importin e energjisë.
“Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe rritje të shpenzimeve”.
Në fund, deputeti i Aleancës i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të japë llogari për gjendjen në këtë sektor dhe të tregojë se cilat masa do të ndërmerren për të shmangur përsëritjen e problemeve të njëjta, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali