Në votim morën pjesë 63 deputetë. Prej tyre, 42 votuan pro rezolutës, ndërsa dy abstenuan. Megjithatë, numri i votave nuk ishte i mjaftueshëm për miratimin e saj.
Rezoluta ishte propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari. Përmes saj, ajo kërkonte që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmerrnin menjëherë masat e nevojshme ligjore dhe administrative për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me barna esenciale dhe për të shmangur ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së tyre.
Sipas propozimit, Ministria e Shëndetësisë do të duhej që, brenda 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, t’i paraqiste Kuvendit një raport të detajuar për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026. Raporti do të përfshinte listën e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, arsyet e mungesave, si dhe gjendjen e procedurave të prokurimit.
Po ashtu, rezoluta parasheh krijimin e një mekanizmi për paralajmërim të hershëm dhe përcaktimin e një stoku minimal rezervë për barnat kritike onkologjike. Përmes këtij mekanizmi do të përcaktoheshin përgjegjësitë institucionale dhe afatet për nisjen e procedurave të furnizimit, përpara se stoku të arrinte nivelin kritik.
Burimi: RTKLive
