AUV kthen nga kufiri mbi 12 tonë produkte ushqimore nga Maqedonia e Veriut

AUV kthen nga kufiri mbi 12 tonë produkte ushqimore nga Maqedonia e Veriut

Written by

in

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar hyrjen në Kosovë të dy ngarkesave me gjithsej 12 mijë e 268 kilogramë kremra ushqimorë me yndyrë bimore dhe produkte djathi, të importuara nga kompania VIZIONI M.Z.I.I SH.P.K. nga Graçanica.

Sipas AUV-së, produktet ishin prodhuar nga fabrika AD MLEKARA TETOVO në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ngarkesat janë ndaluar në Pikën e Kontrollit Kufitar në Han të Elezit.

Refuzimi është bërë në bazë të vendimit të AUV-së të datës 6 nëntor 2026, për ndalimin e importit nga kjo fabrikë, pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën e prodhimit.

“Ky vendim është marrë pas konstatimit të shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore dhe problemeve me higjienën e prodhimit, përfshirë rezultatet e pakënaqshme laboratorike për praninë e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar në ngarkesa të mëparshme”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Ngarkesa e parë, prej 7 mijë e 368 kilogramësh, përmbante produktet Natura Delikates, Duble Cream Masterfood, Extra Delikates Aksion dhe Kravjo Sirenje.

Ndërsa ngarkesa e dytë, prej 4 mijë e 900 kilogramësh, përmbante produktet Natura Sharplaninska dhe Cream Extra Masterfood.

Për të dyja ngarkesat, inspektori veterinar kufitar ka urdhëruar kthimin e produkteve në Maqedoninë e Veriut.

“Asnjëra nga këto dy ngarkesa nuk është lejuar të hyjë në tregun e Republikës së Kosovës”, thekson AUV-ja.

Agjencia ka njoftuar se do të vazhdojë ndalesën e importit nga ky prodhues, si dhe kontrollet e produkteve të importuara më parë, për të identifikuar produktet eventualisht jokonforme që mund të jenë ende në treg.

Burimi: RTKLive