​“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike”, Bajrami lëshon audio-incizimin e Kurtit në Kuvend

​“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike”, Bajrami lëshon audio-incizimin e Kurtit në Kuvend

Written by

in

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, gjatë fjalimit të saj sot në seancën plenare në Kuvend, ka lëshuar një audio-incizim ku dëgjohet kryeministri Albin Kurti duke deklaruar se Qeveria do të synojë uljen e çmimit të energjisë elektrike.

“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi”, dëgjohet të thotë Kurti në incizimin e lëshuar nga Bajrami.

Pas lëshimit të audio-incizimit, Bajrami ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke kërkuar nga ajo që të flasë për planet dhe masat konkrete për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

“Po na duhet herë pas here me i sjellë këto fakte, edhe pse qytetarët e Republikës e dinë, po siç po duket ju, kolegë deputetë, i keni harruar”, ka deklaruar Bajrami.

Bajrami ka theksuar se ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli duhet të jep llogari për punën dhe rezultatet gjatë mandatit të saj.

“Kishte qenë mirë tash të na i tregoni planet, si do ta parandaloni ngritjen e energjisë elektrike, e cila po paralajmërohet prej zyrtarëve të ZRRE-së në fillim të vitit tjetër, e tjera, po jo me fol për historinë… Zonja ministre, sot bëhen 5 vjet, 7 muaj e 22 ditë që ju jeni ministre e këtij dikasteri. Jo, është dashur 22 ditë, ju është dashur që të bëni diçka më tepër sesa të krahasoheni me të kaluarën”, ka deklaruar Bajrami. /KP