Aymeric Laporte, qendërmbrojtësi 32-vjeçar i Athletic Bilbaos, ka konfirmuar se Barcelona kishte shfaqur interesim për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës, por refuzimi i klubit bask bëri që largimi i tij të mos realizohej.
Në një intervistë për gazetën La Vanguardia, reprezentuesi spanjoll nuk e ka përjashtuar mundësinë që një ditë të luajë në “Camp Nou”, megjithëse pranoi se mosha mund ta vështirësojë një transferim të tillë në të ardhmen.
Interesimi i Barcelonës për Laporten lidhej me kërkimin e një qendërmbrojtësi më këmbën e majtë për repartin defensiv të trajnerit Hansi Flick.
Drejtori sportiv Deco e kishte vlerësuar mundësinë e transferimit të tij gjatë planifikimit të merkatos së fundit, por Athletic Bilbao nuk ishte i gatshëm të negocionte largimin e njërit prej mbrojtësve të tij.
Tashmë, deklaratat e vetë futbollistit kanë rikthyer emrin e tij në skenën e transferimeve.
Laporte konfirmoi se interesimi nga Barcelona kishte ekzistuar, por shpjegoi se qëndrimi i Athletic Bilbaos ishte vendimtar që marrëveshja të mos realizohej.
Klubi bask nuk e kishte në plan ta humbiste reprezentuesin spanjoll gjatë verës dhe përfundimisht bllokoi çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.
Megjithatë, qendërmbrojtësi nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e transferimit te gjiganti katalunas në të ardhmen. I pyetur nëse kjo mundësi ishte mbyllur përfundimisht, ai la të kuptohej se gjërat mund të ndryshojnë, por pranoi se kalimi i kohës nuk është në favorin e tij.
Edhe situata kontraktuale e Laportes e vështirëson një transferim të mundshëm. Mbrojtësi u rikthye te Athletic Bilbao në shtator të vitit 2025, pas aventurës në Arabinë Saudite, dhe ka kontratë me klubin deri në qershor të vitit 2028.
Kjo do të thotë se Barcelona do të duhej të negocionte me klubin bask për ta siguruar shërbimin e tij para përfundimit të kontratës./Telegrafi/