Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj raportimeve se Qeveria u ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe manipuluese.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka deklaruar se as Ministria dhe as Qeveria nuk kanë marrë vendim për heqjen e statusit të dëshmorit për personat e përmendur.
“Raportimet se Qeveria u ka hequr statusin e dëshmorit Ahmet Krasniqit, Fehmi Aganit, Enver Malokut, Bajram Kelmendit dhe personaliteteve të tjera janë të pavërteta dhe manipuluese!”, ka shkruar Hoti.
Ministri ka sqaruar se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit e ka përfunduar punën para shumë vitesh dhe nuk ekziston më si mekanizëm funksional.
“Të gjithë personat e përmendur vazhdojnë ta kenë statusin e dëshmorit dhe gëzojnë të drejtat pensionale sipas legjislacionit në fuqi. Asnjërit prej tyre nuk i është hequr statusi apo e drejta në pension!”, ka theksuar ai.
Hoti ka kritikuar edhe mënyrën e raportimit të këtyre pretendimeve, duke akuzuar mediat që i kanë publikuar për manipulim të opinionit publik.
“Skandaloze është përpjekja që, përmes ‘titujve bombastikë’ dhe teksteve tendencioze, të krijohet bindja se institucionet kanë marrë vendime që nuk ekzistojnë”, ka deklaruar ministri.
Ai ka shtuar se mediat që kanë publikuar këto pretendime nuk kanë kërkuar sqarime nga Ministria para publikimit.
“Verifikimi i informacionit dhe marrja e qëndrimit të palës përkatëse janë përgjegjësi themelore të gazetarisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe opinionin publik”, ka shkruar Hoti.
Burimi: RTKLive
