
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos ndërmarrë hapa të papritur gjatë bisedimeve të pritshme me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë, të cilat pritet të zhvillohen javën e ardhshme në Kinë.
Duke folur të premten në Dublin, Merz shprehu shqetësimin se takimi mes dy liderëve mund të përsërisë situatën e krijuar gjatë samitit të tyre në Anchorage të Alaskës, i cili ishte parë nga udhëheqësit evropianë si një moment i rëndësishëm në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se ky mund të shndërrohet në moment të dytë të Anchorage-it”, tha Merzi.
Ai më pas iu drejtua drejtpërdrejt Uashingtonit, duke kërkuar që SHBA-ja të vazhdojë të qëndrojë në krah të Evropës dhe Ukrainës.
“Prandaj, unë dua ta deklaroj mesazhin tonë për Shtetet e Bashkuara shumë qartë: ju lutem, pa befasi. Vazhdoni që të luani si pjesë e “Ekipit të Evropës” dhe “Ekipit të Ukrainës”, tha kancelari gjerman.
Merz po përpiqet të sigurojë mbështetjen e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian për Ukrainën, në kuadër të diskutimeve për buxhetin afatgjatë të bllokut. Ai tha se propozimi i tij ka marrë përkrahje të gjerë, ndonëse një marrëveshje për këtë çështje mbetet ende larg.
Pas takimeve mes përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Abu-Dabi gjatë kësaj jave, kancelari gjerman paralajmëroi se bisedimet substanciale për paqe pritet të nisin në javët e ardhshme. Sipas tij, në këto diskutime do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit evropianë, për herë të parë.
Merz kundërshtoi gjithashtu kërkesat e Rusisë që arkitektura e sigurisë evropiane të jetë në qendër të negociatave, duke argumentuar se kjo çështje tashmë është e përcaktuar përmes NATO-s.
“Diskutimet e ardhshme duhet të përqendrohen në një pyetje kryesore: brenda cilës kornizë mund të garantohet siguria e Ukrainës porsa të arrihet paqja? Megjithatë, së pari ne duhet ta arrijmë në të vërtetë atë paqe”, shtoi Merzi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali