Personeli amerikan në bazën ajrore RAF Lakenheath, një nga bazat kryesore ushtarake të SHBA-së në Mbretërinë e Bashkuar, është urdhëruar të strehohet në ambiente të sigurta pas dyshimeve për praninë e dronëve të paautorizuar.
Sipas Sky News, Forcat Ajrore Amerikane konfirmuan se ekipet e sigurisë reaguan ndaj aktivitetit të dyshimtë mbi bazën, por nuk pati të lënduar apo dëme materiale.
“Këtë mbrëmje, personeli i sigurisë së Forcave Ajrore Amerikane reagoi ndaj aktivitetit të dyshuar të dronëve të paautorizuar mbi RAF Lakenheath. Asnjë person, avion apo objekt i infrastrukturës nuk u prek”, deklaroi një zëdhënës i Forcave Ajrore Amerikane.
Ai shtoi se autoritetet amerikane po bashkëpunojnë ngushtë me institucionet britanike për të garantuar sigurinë e personelit ushtarak, civilëve dhe familjeve të tyre.
Ngjarja vjen vetëm disa ditë pasi ushtria amerikane zhvendosi më shumë se 12 avionë luftarakë nga baza RAF Mildenhall, gjithashtu në Suffolk, pas raportimeve për kërcënime të sigurisë të lidhura me Iranin.
Të paktën dy prej këtyre avionëve u transferuan në RAF Lakenheath.
Muajin e kaluar, SHBA-ja kishte zhvendosur gjithashtu bombarduesit e saj nga baza RAF Fairford, pas kërcënimeve të tjera të raportuara si të lidhura me Iranin, duke i kthyer avionët në territorin amerikan.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse incidenti i fundit me dronë në RAF Lakenheath ka ndonjë lidhje me kërcënimet e mëparshme. /Telegrafi/