
Një zyrtar policor është lënduar gjatë një incidenti në Vushtrri, ku një 30-vjeçar dyshohet se fillimisht tentoi ta godiste me veturë e më pas e sulmoi fizikisht, duke e goditur dy herë me kokë në ballë. I dyshuari është arrestuar, ndërsa Policia ia ka sekuestruar edhe automjetin, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, rreth orës 10:15, gjatë një aksioni policor për shqiptimin e gjobave ndaj automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Albert Mehmeti, rreth 30-vjeçar, i cili dyshohet se me veturën e tij ka tentuar ta godiste një zyrtar policor, por ky i fundit ka arritur të shmanget.
Pas këtij veprimi, shoferi dyshohet se ka hapur xhamin e veturës dhe i është drejtuar policit me fjalë fyese e kërcënuese, përpara se të largohej me shpejtësi.
Njësia policore është vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe ka arritur ta ndalojë në rrugën “Wesley Clark”.
Gjatë kontrollit, 30-vjeçari ka refuzuar t’ua dorëzojë dokumentet zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me fyerje, duke mos përfillur urdhrat e tyre.
Situata ka eskaluar në momentin kur policët e kanë njoftuar se do të arrestohej.
Sipas informacioneve nga burimet, Mehmeti ka dalë nga vetura dhe e ka goditur zyrtarin policor dy herë me kokë në ballë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Gjatë verifikimeve është konstatuar se 30-vjeçari e kishte patentë-shoferin të konfiskuar, ndaj Policia ka sekuestruar edhe veturën e tij.
Për rastin janë njoftuar hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri dhe hetuesit rajonalë, të cilët do të merren me procedurat e mëtejshme.
Me udhëzim të Prokurorisë së Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari pritet të intervistohet nga hetuesit rajonalë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali