
Një vizitë për kontroll mjekësor ka përfunduar tragjikisht për një 43-vjeçare në Klinë. Gruaja kishte kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare pasi nuk ndihej mirë, por gjatë kontrollit gjendja e saj është përkeqësuar. Ajo është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Pejës, ku është konstatuar vdekja e saj, mëson Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Albona Morina, rreth 43-vjeçare.
Ngjarja është raportuar të premten, më 13 nëntor, rreth orës 13:45.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 43-vjeçarja ishte paraqitur në QKMF-në e Klinës për të kërkuar trajtim mjekësor, por gjatë kontrollit gjendja e saj shëndetësore është rënduar.
Për shkak të përkeqësimit, personeli mjekësor ka vendosur ta transportojë me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Pejës.
Urgjenca ka kërkuar edhe asistencën e Policisë, e cila ka shoqëruar autoambulancën deri në spital.
Megjithatë, pas mbërritjes në emergjencën e Spitalit të Pejës, mjeku kujdestar ka konstatuar se pacientja kishte ndërruar jetë.
Pas rastit, janë angazhuar hetuesit policorë dhe njësia rajonale e hetimeve.
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është përcaktuar dhe pritet të sqarohet përmes ekzaminimeve mjekoligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali