
Microsoft ka rikthyer plotësisht funksionimin e shërbimeve të tij online, duke i dhënë fund një ndërprerjeje globale që për më shumë se 24 orë shkaktoi probleme serioze në komunikimet e bizneseve dhe institucioneve qeveritare në mbarë botën.
Kompania njoftoi të shtunën se shërbimet si Teams, Outlook, Copilot dhe aplikacionet e tjera janë rikthyer në funksion të plotë, pas një incidenti që preku të paktën 74 vende në Amerikë, Evropë, Azi dhe Afrikë.
“Ne i kemi përfunduar përpjekjet tona për të adresuar problemin themelor të incidentit dhe për të rivendosur shërbimin për klientët dhe rajonet e tjera të prekura”, njoftoi Microsoft përmes një postimi në rrjetin social X.
Gjiganti teknologjik më herët kishte kërkuar falje për ndërprerjen, e cila nisi të enjten dhe ndikoi në funksionimin e Outlook, Copilot dhe disa veçorive të Teams. Problemet penguan përdoruesit të dërgonin e-mail, të menaxhonin kalendarët dhe të zhvillonin takime virtuale.
Para se të konfirmonte rikthimin e plotë të shërbimeve, kompania bëri të ditur se po “monitoronte numrin e mesazheve të prapambetura të email-eve të grumbulluara gjatë këtij eventi” në sistemet e saj.
Microsoft kishte identifikuar problemet me serverët si shkaktarë të incidentit, duke theksuar se nuk kishte indikacione për ndonjë aktivitet keqdashës.
Ndërkohë, autoritetet amerikane sqaruan se ndërprerja e shërbimeve të Microsoft nuk kishte lidhje me ndalimin e fluturimeve ajrore në SHBA të premten. Edhe kompania kishte deklaruar se nuk kishte asnjë tregues që problemet me platformat e saj të kishin shkaktuar vendimin e Administratës Federale të Aviacionit për ndalimin e fluturimeve.
Pasojat e ndërprerjes u ndjenë në shumë sektorë. Agjenci qeveritare në vende të ndryshme, nga Australia dhe Japonia deri në Shtetet e Bashkuara, raportuan ndikime në komunikim. Probleme pati edhe në kompanitë tregtare, ndërsa disa biznese u penguan të publikonin rezultatet financiare. Disa linja ajrore madje paralajmëruan udhëtarët për vonesa në komunikim.
Outlook dhe Teams konsiderohen ndër aplikacionet më të përdorura në ambientet e punës, me qindra miliona përdorues në mbarë botën.
Ndërprerja preku kryesisht organizatat që përdorin shërbimet cloud të Microsoft, ndërsa ato që i operojnë sistemet në serverët e tyre lokalë u ndikuan në një masë më të vogël.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali