Vdekja e 43-vjeçares në Klinë, QKMF-ja tregon se pësoi reaksion alergjik nga infuzioni: U reanimua gjatë rrugës për në spitalin e Pejës

Vdekja e 43-vjeçares në Klinë, QKMF-ja tregon se pësoi reaksion alergjik nga infuzioni: U reanimua gjatë rrugës për në spitalin e Pejës

Written by

in

Vdekja e 43-vjeçares në Klinë, QKMF-ja tregon se pësoi reaksion alergjik nga infuzioni: U reanimua gjatë rrugës për në spitalin e Pejës

QKMF-ja e Klinës ka dalë me një version zyrtar për vdekjen e 43-vjeçares Albona Morina, rast të cilin Gazeta Sinjali e raportoi pas dyshimeve për rrethanat e transportimit të saj drejt Spitalit të Pejës me autoambulancë pa sirenë dhe drita emergjente. Në reagimin e saj, QKMF-ja pretendon se pacientja pësoi reaksion alergjik menjëherë pas fillimit të infuzionit, se gjendja iu përkeqësua dhe se gjatë pjesës më të madhe të rrugës drejt Pejës iu bë reanimim kardiopulmonar, por ajo nuk arriti të mbijetojë.

Sipas njoftimit zyrtar, e ndjera fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion. Menjëherë pas fillimit të terapisë, sipas QKMF-së, ajo kishte shfaqur reaksion alergjik, për çka ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së.

Aty, sipas institucionit, mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, kishte ndërmarrë trajtimin e pacientes.

“Pacientja është dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, ka ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri. Janë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.”, thuhet në njoftim.

QKMF-ja ka bërë të ditur se gjatë transportimit janë angazhuar edhe njësitë policore, me qëllim të përshpejtimit të udhëtimit për shkak të ngarkesës në trafik.

“Janë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, me qëllim të përshpejtimit të transportit, për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë”, thuhet në reagim.

Sipas QKMF-së, gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa pas arritjes në Pejë pacientja është intubuar. Megjithatë, pavarësisht masave intensive dhe terapeutike, ajo ka ndërruar jetë.

Prokuroria ka intervistuar stafin mjekësor

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 43-vjeçares.

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka deklaruar më herët për Gazetën Sinjali se Policia e Kosovës është autorizuar për sigurimin e dosjes së trajtimit mjekësor, ndërsa stafi mjekësor i përfshirë në rast është intervistuar.

“Për shkaqe të vdekjes, me qëllim të kuptimit të shkaqeve të vdekjes së viktimës, njëkohësisht është autorizuar edhe Policia e Kosovës për ta siguruar dosjen e trajtimit mjekësor të viktimës. Është intervistuar stafi mjekësor, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është në IML për t’iu bërë obduksioni”, ka deklaruar Nikçi për Sinjalin.

Bacaj mohoi se autoambulanca kishte probleme me sinjalizimin

Pas raportimit të Gazetës Sinjali se autoambulanca që transportoi Morinën drejt Pejës nuk kishte sirenë dhe drita emergjente, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Agron Bacaj, e kishte mohuar një gjë të tillë.

Ai kishte deklaruar se autoambulancat ishin të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme dhe se kërkesa për shoqërim policor ishte bërë për shkak të gjendjes së rëndë të pacientes, kolonave në trafik dhe punimeve në rrugët e Klinës.

“QKMF-ja ka pasë posedim, autoambulanca, bile njëra është e re sapo është futur ne përdorim, arsyeja pse e ka bë stafi thirrjen policinë, është rasti që ka qënë urgjent, dhe u kanë një (s’kuptohet) qe u bë me rrugëve të Klinës që është duke u punuar e për ata e kanë marrë përcjelljen e Policisë, se autoambulancat janë të pajisura me krejt ato çka janë adekuate, që duhet me i posedu automabulanca”, ka deklaruar Bacaj për Sinjalin.

Ai kishte insistuar se autoambulancat kishin qenë të pajisura edhe me goma të dimrit dhe me sinjalizim emergjent, duke mohuar se shoqërimi policor ishte kërkuar për shkak të ndonjë defekti.

“Rrugëve të klinës, ssheshet e kështu, ka pasë mot me shi kolona, kjo është arsyeja që e kanë marrë përcjelljen e policisë për me dërgu rastin më shpejjtë, sepse rasti ka qenë i rëndë. Autoambulancat kanë qenë të pajisura me goma të dimrit me sinjal, me krejt komplet. Arsyeja që stafi ka thirrë përcjellje të Policisë nuk është humbje sinjalisitike, nuk është si pasojë e defekteve të mundshme ne autoambulacë por është për përcjelle më të shpejt të rastit dhe mënyra më e shpejtë për me e përcjell në Pejë ka qenë Policia.”, ka thënë ai.

Ndërkaq, QKMF-ja ka deklaruar se rasti është nën hetim nga institucionet kompetente dhe se do të bashkëpunojë me organet përkatëse, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin mjekësor. Institucioni ka bërë të ditur se nuk do të japë komente të tjera gjatë zhvillimit të hetimit.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë ishte dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. Shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e trajtimit mbeten objekt i hetimeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali