
Të paktën tre persona janë vrarë dhe më shumë se 50 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në dy qytete të Ukrainës, Zaporizhia dhe Odesa, të premten. Mes të plagosurve ka edhe gjashtë fëmijë, ndërsa viktimë e sulmeve ka mbetur edhe një shpëtimtar, i cili humbi jetën gjatë operacionit për largimin e rrënojave.
Forcat ruse shënjestruan qytetin juglindor të Zaporizhias dhe portin strategjik të Odesës, në Detin e Zi, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesat e banimit.
Në Zaporizhia, një shpëtimtar u vra gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, pasi një pllakë betoni u shemb mbi të teksa ekipet po punonin për largimin e rrënojave.
Guvernatori rajonal, Mikhail Semikin, njoftoi përmes Telegramit se më shumë se 50 persona janë plagosur nga sulmi, përfshirë gjashtë fëmijë.
Operacionet e shpëtimit u zhvilluan në kushte veçanërisht të rrezikshme, pasi ndërtesa kishte pësuar dëme të rënda strukturore nga goditjet ruse.
Ndërkohë, në Odesa, dy persona u vranë nga një sulm ndaj një shtëpie private.
Kreu i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Lysak, bëri të ditur se pesë persona të tjerë mbetën të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimave apo shkallën e plotë të dëmeve në shtëpinë e goditur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali