“Krimin e kreu prokurori që urdhëroi ndalimin” – Berisha: Përgjegjësi edhe për ata që ia japin aminin

“Krimin e kreu prokurori që urdhëroi ndalimin” – Berisha: Përgjegjësi edhe për ata që ia japin aminin

Written by

in

“Krimin e kreu prokurori që urdhëroi ndalimin” – Berisha: Përgjegjësi edhe për ata që ia japin aminin

Avokati Besnik R. Berisha ka dalë me një tjetër reagim të ashpër për rastin e pronarit të lopës në Graçanicë, i cili u ndalua për 48 orë pasi kafsha e tij hyri në oborrin e Gjykatës dhe shkaktoi dëme minimale në gjelbërim.

Këtë herë, Berisha nuk është ndalur te kritikat për vendimin e prokurorit. Ai ka ngritur akuza të drejtpërdrejta për përgjegjësi penale, duke paralajmëruar se pasojat mund t’i bartin edhe ata që e mbështesin një ndalim për të cilin, sipas tij, e dinë se është i kundërligjshëm.

“Çdo minutë që kalon dhe pronari i lopës vazhdon të mbahet në ndalim, kësaj nuk i thonë më veç mosdije, por edhe krim!”, ka shkruar Berisha.

Ai ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë në akuzat ndaj prokurorit që ka urdhëruar privimin nga liria.

“Krimin e kreu ai që urdhëroi ndalimin. Përgjegjësi penale mund të mbajnë edhe ata që, duke e ditur se ndalimi është i kundërligjshëm, vazhdojnë t’ia japin aminin!”

Berisha e ka përmbyllur reagimin me një mesazh që godet drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të pushtetit prokurorial.

“Liria e njeriut nuk është pronë e prokurorit.”

“Kush e përdor ligjin për t’ia marrë lirinë padrejtësisht një njeriu, duhet ta ndiejë peshën e po atij ligji mbi veten!”, ka përfunduar ai.

Rasti ka ndodhur më 13 nëntor në Graçanicë, ku ndaj pronarit të lopës është iniciuar procedurë penale për veprën “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa me urdhër të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë.

Berisha e kishte kundërshtuar më herët vendimin, duke argumentuar se dëmi i shkaktuar nga një kafshë nuk krijon vetvetiu përgjegjësi penale për pronarin e saj dhe se privimi nga liria kërkon bazë të veçantë ligjore.

Akuzat për kryerjen e një krimi përfaqësojnë qëndrimin publik të Berishës dhe nuk janë konstatime gjyqësore për përgjegjësinë penale të zyrtarëve të përfshirë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali