Hungaria kap afro 20 milionë dollarë, paratë dyshohet se ishin fshehur në pyje dhe depo

Hungaria kap afro 20 milionë dollarë, paratë dyshohet se ishin fshehur në pyje dhe depo

Written by

in

Hungaria kap afro 20 milionë dollarë, paratë dyshohet se ishin fshehur në pyje dhe depo

Autoritetet në Hungari kanë sekuestruar afro 20 milionë dollarë para të gatshme, të cilat dyshohet se ishin fshehur në pyje, ndërtesa fermash, depo dhe prona private, në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të qeverisë së Viktor Orbanit, Miklos Sesztak.

Sipas Reuters, paratë u zbuluan gjatë kontrolleve të zhvilluara nga hetuesit, të cilët gjetën shuma të mëdha të fshehura në lokacione të ndryshme.

Ministri i Financave, Andras Karman, bëri të ditur se shuma e sekuestruar përfshin 5.07 miliardë forinta hungareze, 2.66 milionë euro dhe 1.26 milionë dollarë. Për numërimin e parave u angazhuan 12 punonjës të Thesarit Shtetëror, të cilëve iu deshën tetë orë dhe pesë makina për numërimin e kartëmonedhave.

Miklos Sesztak, i cili shërbeu si ministër i Zhvillimit në qeverinë e Orbanit nga viti 2014 deri më 2018, ka mohuar çdo përfshirje në keqpërdorime. Ndërkohë, avokati i tij nuk ka komentuar lidhur me sekuestrimin e parave.

Ky aksion është pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit, të cilën kryeministri aktual, Peter Magyar, e ka quajtur “Operacioni Purgatori”.

Magyar erdhi në pushtet pas fitores në zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit. Ai ka premtuar luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, të cilat ishin përkeqësuar gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.