Pasagjeri agresiv detyron aeroplanin e kompanisë zvicerane të kthehet në Cyrih, ndërhyn policia

Pasagjeri agresiv detyron aeroplanin e kompanisë zvicerane të kthehet në Cyrih, ndërhyn policia

Written by

in

Një incident me një pasagjer të padisiplinuar ka shkaktuar vonesa në një fluturim të kompanisë ajrore zvicerane Swiss nga Cyrihu drejt Oslos, të premten në mëngjes.

Pasagjeri kishte ofenduar verbalisht anëtarët e ekuipazhit, duke bërë që pilotët të ndërprisnin procedurën e nisjes dhe të kërkonin ndërhyrjen e policisë. Si pasojë, aeroplani u kthye në portën e hipjes, ndërsa personi në fjalë u nxor nga avioni së bashku me bagazhet e tij dhe iu dorëzua policisë, shkruan 24 heures.

Ngjarja ndodhi në fluturimin LX1210, i cili ishte planifikuar të nisej nga Cyrihu drejt Oslos në orën 09:40.

Rreth orës 10:00, kulla e kontrollit kishte autorizuar dy herë pilotët për ngritje, por ata kërkuan edhe nga një minutë kohë. Më pas, njëri prej pilotëve njoftoi për praninë e një pasagjeri të padisiplinuar në bord dhe kërkoi ndërhyrjen e policisë. Aeroplani i tipit Airbus A220-300 u kthye në portën e nisjes, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësja e Swiss, Nicole Meier, konfirmoi incidentin, duke deklaruar se pak para se aeroplani të rreshtohej në pistë për ngritje, një pasagjer kishte bërë komente të papërshtatshme ndaj ekuipazhit. Për këtë arsye, ekipi vendosi të kthehej në portën e hipjes.

Ajo theksoi se siguria në bord dhe mbrojtja e pasagjerëve dhe stafit janë përparësi absolute për kompaninë, ndërsa shtoi se ekuipazhi i kabinës është i trajnuar për t’u përballur me situata të tilla.

Sipas saj, është e rëndësishme që pasagjerët me sjellje problematike të identifikohen para ngritjes, pasi një kthim i aeroplanit pas ngritjes në ajër do të shkaktonte humbje më të mëdha financiare dhe kohore.

Swiss dënon dhunën ndaj ekuipazhit, në raste serioze pasagjerët përballen me procedura penale

Lidhur me pasojat për pasagjerin, Meier deklaroi se Swiss dënon në mënyrën më të ashpër çdo formë të dhunës fizike ose verbale ndaj anëtarëve të ekuipazhit.

Ajo theksoi se sjelljet agresive ose të rrezikshme jo vetëm që kërcënojnë stafin, por mund të rrezikojnë edhe sigurinë e fluturimit.

Në këtë rast, pasagjeri u largua nga aeroplani së bashku me bagazhet e tij dhe iu dorëzua policisë.

Swiss nuk bëri të ditur se çfarë pasojash konkrete mund të ketë për personin në fjalë. Megjithatë, në rastet më serioze, pasagjerët mund të përballen me procedura penale nga autoritetet përkatëse, si dhe me ndalim të fluturimit.

Pas largimit të tij, pasagjerët e tjerë arritën të niseshin drejt Oslos në orën 11:23, pothuajse dy orë pas orarit të planifikuar.

Vonesa ndikoi edhe në fluturimin e kthimit dhe bëri që pak më pak se dhjetë pasagjerë të humbnin trenat lidhës.

Zëdhënësja e Swiss tha se kompania i kupton vështirësitë që mund të shkaktojnë situata të tilla dhe humbja e lidhjeve të udhëtimit për pasagjerët. Ajo bëri të ditur se personave të prekur u janë rezervuar vende në fluturimet e para të disponueshme, përcjell Telegrafi.

Rriten rastet e pasagjerëve të padisiplinuar në fluturimet zvicerane

Rastet e pasagjerëve të padisiplinuar përbëjnë një problem në rritje edhe për kompanitë ajrore zvicerane.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Aviacionit Civil të Zvicrës (FOCA), gjatë vitit 2025, linjat ajrore zvicerane raportuan një rritje prej 17 për qind të rasteve të tilla.

Abuzimi verbal ndaj stafit ishte ndër shkeljet më të shpeshta, me gjithsej 518 raste të raportuara.

Gjithashtu, në 480 raste pasagjerët nuk iu bindën udhëzimeve të ekuipazhit, për shembull duke refuzuar të fiknin pajisjet elektronike ose të vendosnin rripat e sigurimit.

Gjatë të njëjtit vit u regjistruan edhe 297 shkelje të ndalimit të pirjes së duhanit dhe 168 raste kur pasagjerët konsumuan alkool që e kishin sjellë vetë në bord.

Të dhënat e FOCA-s evidentojnë gjithashtu 90 raste dhune dhe 45 raste të ngacmimit seksual.

Për këto shkelje, Zyra Federale e Aviacionit Civil gjobiti 166 pasagjerë, të cilët u detyruan të paguanin shuma nga 400 deri në 1.000 franga.

Megjithatë, kur numri i rasteve llogaritet në raport me numrin e përgjithshëm të pasagjerëve, niveli i sjelljeve problematike mbeti pothuajse i pandryshuar në vitin 2025. Treguesi arriti në 6.7, me një rritje prej 0.1 për qind krahasuar me vitin 2024.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Swiss, Nicole Meier, deklaroi se kompania nuk kishte vërejtur ndonjë zhvillim veçanërisht të pazakontë gjatë vitit të kaluar dhe se viti 2025 nuk kishte qenë rekord për numrin e rasteve të tilla./Telegrafi/