Lajm i rëndësishëm për shqiptarët në Cyrih: Paga minimale bëhet 23.90 franga në orë

Lajm i rëndësishëm për shqiptarët në Cyrih: Paga minimale bëhet 23.90 franga në orë

Written by

in

Nga 1 janari 2027, në qytetin e Cyrihut do të zbatohet paga minimale prej 23.90 frangash zvicerane bruto në orë. Megjithatë, punëdhënësve do t’u jepet një periudhë kalimtare deri në fund të vitit 2027 për të bërë përshtatjet e nevojshme.

Vendimi ka rëndësi edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, pasi nga kjo masë mund të përfitojnë edhe shqiptarët që punojnë në qytetin e Cyrihut dhe përfshihen në kategoritë e mbuluara nga rregullorja. Kjo është veçanërisht me rëndësi për ata që janë të angazhuar në sektorë si pastrimi, gastronomia dhe tregtia me pakicë, ku paga minimale pritet të sjellë përfitime për punonjësit me të ardhura më të ulëta, transmeton Telegrafi.

Sipas raportimit të Swissinfo-s, të gjithë punëdhënësit në Cyrih do të duhet të paguajnë së paku 23.90 franga në orë. Megjithatë, ata kanë kohë deri më 31 dhjetor 2027 për të bërë rregullimet e nevojshme.

Bizneset që dëshmojnë se përballen me vështirësi financiare mund të përfitojnë një afat shtesë prej dy vjetësh, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2027. Për këtë, ato duhet të paraqesin një kërkesë të arsyetuar.

Paga minimale u miratua në vitin 2023

Në vitin 2023, rreth 70 për qind e votuesve në Cyrih mbështetën vendosjen e pagës minimale. Megjithatë, zbatimi i saj u vonua pasi partitë konservatore kundërshtuan rezultatin e referendumit.

Vetëm në vitin 2026, Gjykata Federale konfirmoi ligjshmërinë e kësaj mase, duke i hapur rrugë zbatimit të saj nga 1 janari 2027.

Partnerët socialë do të përfshihen në hartimin e rregulloreve zbatuese. Ndërkohë, Këshilli i Qytetit ka vendosur që ankesat eventuale kundër hyrjes në fuqi të rregullores të mos kenë efekt pezullues, në mënyrë që ato të mos shkaktojnë vonesa të mëtejshme.

Rreth 17 mijë punonjës pritet të përfitojnë

Sipas Partisë Socialdemokrate (SP), vendosja e pagës minimale pritet t’u sjellë rritje të të ardhurave rreth 17 mijë punonjësve me paga të ulëta.

Përfituesit kryesorë pritet të jenë punonjësit në sektorët e pastrimit, gastronomisë dhe tregtisë me pakicë. Shumica dërrmuese e punonjësve në këta sektorë janë gra, transmeton Telegrafi.

Partia Socialdemokrate e ka mirëpritur hyrjen në fuqi të pagës minimale, ndërsa ka kritikuar vonesat që, sipas saj, janë shkaktuar nga kundërshtimet e shoqatave të biznesit.

Edhe të Gjelbrit e kanë përshëndetur vendimin, por kanë kërkuar kontrolle efektive për të siguruar zbatimin e rregullores. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se përjashtimet për punëtorët e rinj dhe praktikat mund të dobësojnë mbrojtjen nga pagat e ulëta.

Federata Sindikale e Kantonit të Cyrihut gjithashtu e ka mirëpritur vendimin, por ka kritikuar faktin se kontrollet dhe zbatimi i tyre nuk janë planifikuar të fillojnë deri një vit më vonë.

Edhe Winterthuri planifikon pagë minimale

Edhe qyteti i Winterthurit mund të vendosë një pagë minimale prej 23 frangash në orë. Kjo masë është mbështetur nga 66 për qind e votuesve.

Megjithatë, data e hyrjes në fuqi ende nuk është përcaktuar. Qyteti ka bërë të ditur se synon ta zbatojë rregulloren përkatëse në muajt e ardhshëm dhe planifikon të japë informacione të mëtejshme deri në fund të vitit./Telegrafi/