S’ka fitues në ‘Bajram Aliu’

S’ka fitues në ‘Bajram Aliu’

Written by

in

Derbi drenicas ka dhuruar një ndeshje të kënaqshme, me raste të mira dhe katër gola të shënuara.

Mysafirët nga Drenasi e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë. Lorik Dobratiqi ishte autor i golit për 0:1.

Megjithatë, reagimi i Drenicës ishte i menjëhershëm. Vetëm tri minuta më vonë, vendasit barazuan shifrat në 1:1 pas një autogoli të futbollistëve të Feronikelit ’74. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, Drenica arriti ta përmbyste rezultatin. Genc Hamiti shënoi në minutën e 62-të, duke i dhënë epërsinë skuadrës nga Skënderaj për 2:1.

Por Feronikeli ’74 nuk u dorëzua dhe arriti të rikthehej në lojë. Ibrahim Cervadiku realizoi në minutën e 72-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2:2.

Pas këtij barazimi, Drenica renditet në pozitën e shtatë me 10 pikë, ndërsa Feronikeli ’74 zë vendin e tetë me shtatë pikë të grumbulluara.

Në xhiron e ardhshme, Drenica do të udhëtojë në Anamoravë për t’u përballur me Gjilanin, kurse Feronikeli ’74 do ta presë Llapin në Drenas.

Burimi: RTKLive