Trump synon të kufizojë sërish kompetencat e gjyqtarëve në SHBA

Trump synon të kufizojë sërish kompetencat e gjyqtarëve në SHBA

Written by

in

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po kërkon nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara që të kufizojë më tej kompetencat e gjyqtarëve për të bllokuar politikat dhe rregulloret e qeverisë federale, në një përpjekje për të forcuar pushtetin ekzekutiv, raporton Reuters.

Departamenti i Drejtësisë ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Supreme, përmes së cilës kërkon që gjykatat të mos kenë më të drejtë të shfuqizojnë në tërësi rregulloret e agjencive federale që i konsiderojnë të paligjshme, por vendimet e tyre të vlejnë vetëm për palët që kanë ngritur padinë.

Kjo kërkesë vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme në qershor të vitit 2025, i cili kufizoi kompetencat e gjyqtarëve për të nxjerrë urdhra gjyqësorë që bllokojnë politikat e administratës amerikane në të gjithë vendin.

Rasti i ri lidhet me një kontest për rregulloret që synojnë kufizimin e faturave të papritura mjekësore. Një shoqatë e mjekëve në Teksas, ofrues të shërbimeve të ambulancave ajrore dhe palë të tjera kishin kundërshtuar rregulloren, duke pretenduar se ajo shkelte Ligjin për Procedurën Administrative (APA) dhe ulte artificialisht normat e rimbursimit nga sigurimet shëndetësore.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Pestë, me seli në New Orleans, në gusht e kishte shpallur të pavlefshme një pjesë të rregullores në nivel kombëtar. Megjithatë, administrata Trump nuk po e konteston në Gjykatën Supreme ligjshmërinë e kësaj rregulloreje, por kompetencën e gjykatave për ta bllokuar atë në të gjithë vendin.

Sipas ekspertëve, nëse Gjykata Supreme e mbështet kërkesën e administratës, qeveria federale mund të vazhdojë zbatimin e rregulloreve në pjesën tjetër të vendit, edhe kur gjykatat i kanë vlerësuar ato si të paligjshme.

Aditya Bamzai, ekspert i së drejtës administrative në Universitetin e Virxhinias, ka paralajmëruar se një vendim i tillë do t’i jepte më shumë fleksibilitet pushtetit ekzekutiv.

Ndërkaq, profesori i drejtësisë në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis, Ronald Levin, ka vlerësuar se kufizimi i kësaj kompetence do ta vështirësonte largimin e rregulloreve të paligjshme nga zbatimi.

Administrata Trump argumenton se Ligji për Procedurën Administrative nuk u jep gjykatave kompetenca kaq të gjera. Në anën tjetër, kundërshtarët e kësaj nisme, përfshirë disa shtete amerikane, paralajmërojnë se kufizimi i këtyre kompetencave do të dobësonte kontrollin gjyqësor ndaj pushtetit federal.

Gjykata Supreme pritet të shqyrtojë në fillim të vitit të ardhshëm nëse do ta marrë në shqyrtim këtë çështje.

Burimi: Dukagjini