Lindrit Kamberi ka debutuar me fanellën e Kosovës në barazimin 0-0 ndaj Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të Ligës së Kombeve.
Mbrojtësi i Dardanëve u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, duke theksuar se një paraqitje e mirë nuk mjafton nëse nuk arrin të marrësh fitoren. Megjithatë, ai vlerësoi paraqitjen e skuadrës në fazën defensive, sidomos pas mbetjes me një lojtar më pak.
“Jemi të gjithë të dëshpëruar. E kemi ditur se çfarë paraqitjeje na duhej për të fituar, por të përfundosh 0-0 me një lojtar më pak dhe të jesh i kënaqur me paraqitjen defensive, pasi kemi qenë shumë të mirë në atë aspekt”, deklaroi Kamberi.
Ai pranoi se ishte e vështirë t’i përshkruante emocionet pas debutimit, pasi rezultati ndikonte në ndjenjat e tij, por theksoi se tashmë fokusi është te ndeshja e së martës.
“Për momentin e kam të vështirë t’i përshkruaj emocionet, pasi rezultati ndikon. Fokusi është te ndeshja e së martës, që është shumë e rëndësishme. Normalisht, jam tepër krenar. Familja ime ka qenë këtu sot dhe kjo e bën edhe më të veçantë këtë moment”, shtoi ai.
Kamberi foli edhe për cilësinë e skuadrës së Kosovës, duke vlerësuar rritjen e nivelit të ekipit dhe punën e stafit teknik.
“Ekipi ynë ka shumë kualitet. Cilësia e Kosovës është rritur jashtëzakonisht shumë. Na duhet të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, pasi ka pasur disa ndryshime në përbërjen e lojtarëve. Stafi ynë është shumë profesional dhe na ka përgatitur shumë mirë”, përfundoi Kamberi./Telegrafi/