Kosova dhe Izraeli kanë barazuar 0:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B3 të Ligës B në Ligën e Kombeve.
Foda ka thënë se Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe krijoi raste të mira për shënim, sidomos në pjesën e parë, por mungoi konkretizimi.
Ai ka theksuar se përjashtimi i Veldin Hoxhës dhe loja me një futbollist më pak e vështirësuan pjesën e dytë, megjithëse Kosova arriti të krijonte edhe disa raste të tjera.
“Filluam shumë mirë. Nuk i shfrytëzuam rastet në pjesën e parë dhe kjo ndikoi që të fitonim një pikë. Në pjesën e parë ishte loja që dëshironim. Në pjesën e dytë, me një lojtar më pak, bëhet më e vështirë dhe kishim edhe disa raste. Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve”, ka deklaruar Foda.
Përzgjedhësi gjerman ka përmendur edhe mungesën e Florent Muslijës, për të cilin ka thënë se është futbollist i rrezikshëm para portës kundërshtare.
Në anën tjetër, përzgjedhësi i Izraelit, Ran Ben Shimon, e ka vlerësuar barazimin 0:0 si rezultat të drejtë.
Ai ka thënë se përballja në Prishtinë ishte shumë e vështirë dhe është shprehur i kënaqur me pikën e fituar.
“Barazimi ishte rezultat real. Ishte ndeshje shumë e vështirë ndaj Kosovës. Jam i kënaqur me barazimin”, ka thënë Ben Shimon.
Burimi: RTKLive
