Kurti: I kemi kryer të gjitha detyrat për statusin e vendit kandidat në BE

Kurti: I kemi kryer të gjitha detyrat për statusin e vendit kandidat në BE

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet për të avancuar drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kritikuar mungesën e një opinioni nga Komisioni Evropian për aplikimin e vendit.

Në një intervistë për emisionin “Talking Europe” të France 24, Kurti tha se Kosova është i vetmi vend në Evropën kontinentale që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit, katër vjet pas aplikimit për anëtarësim.

“Na vjen keq që jemi të vetmit në Evropë pa statusin e vendit kandidat. Kjo ndodh sepse Këshilli Evropian nuk po i kërkon Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona kur bëhet fjalë për indekset demokratike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, transparencën, lirinë e shtypit, demokracinë zgjedhore dhe demokracinë liberale”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë apo procedura të përshpejtuara, por një proces të bazuar në meritë.

“Ne nuk duam shkurtesa, dyer të pasme apo rrugë të shpejtë; duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë”, u shpreh kryeministri.

Kurti tha se Kosova është e gatshme t’u përgjigjet mijëra pyetjeve në kuadër të procesit të anëtarësimit, por theksoi se vendit ende nuk i është dërguar pyetësori.

“Do t’u përgjigjemi me përkushtim dhe vigjilencë mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk i është dërguar Kosovës. Shpresojmë që në javët ose muajt e ardhshëm të marrim statusin e vendit kandidat, pasi jemi të vetmit pa të në Evropën kontinentale”, tha Kurti.

Si arsye për mosdërgimin e pyetësorit, ai përmendi “dinamikat e brendshme” në Këshillin e Bashkimit Evropian, duke iu referuar pesë shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovakisë.

I pyetur nëse Kosova mund t’i ndryshojë qëndrimet e këtyre shteteve, Kurti tha se bashkëpunimi dhe komunikimi me to është rritur.

“Ne kemi shtuar vazhdimisht bashkëpunimin dhe komunikimin me pesë vendet që nuk na njohin. U kemi kërkuar t’i bashkohen shumicës, 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin. Ka pasur një përparim gradual. Për shembull, Spanja i njeh pasaportat tona, ndërsa statusi i zyrës sonë në Athinë është ngritur. Këto janë shenja pozitive, megjithatë njohja ende nuk është bërë”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se, sipas tij, pesë vendet mosnjohëse nuk paraqesin pengesë për dërgimin e pyetësorit dhe nisjen e procesit të anëtarësimit.

“BE-ja nuk ka probleme me vendet mosnjohëse sa i përket Kosovës, sepse ka gjetur këtë formulë kreative: ‘Diversitet në njohje, por unitet në angazhim’. Kështu që ne e kemi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave. Pesë vendet që nuk na njohin nuk janë pengesë për dërgimin e pyetësorit për Kosovën”, tha kryeministri.

Gjatë intervistës, Kurti u pyet edhe për rezervat e Komisionit Evropian lidhur me reformat në Kosovë, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë.

Ai tha se Qeveria i pranon kritikat e BE-së dhe se reformat në këto fusha tashmë kanë nisur.

“Ne e pranojmë kritikën e BE-së lidhur me gjyqësorin dhe prokurorinë. Prandaj kanë nisur reformat. Tani jemi pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një rezidencë të madhe, apo disa të tilla”, deklaroi Kurti.

Ai argumentoi se procesi i integrimit evropian do ta ndihmonte Kosovën në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.

“Por të mos harrojmë se është pikërisht procesi i integrimit në BE, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe grupkapitujve, ai që do të na ndihmonte shumë për të reformuar jo vetëm gjyqësorin, por edhe administratën tonë publike”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet politike në Serbi dhe mundësinë e hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, Kurti tha se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

Megjithatë, ai përsëriti se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të bazuar në njohjen reciproke.

“Ne duam normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë të kohës për t’u kthyer në shekullin e 20-të”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi do të ishte në interes të të dy vendeve.

“Kosova është shtet i pavarur, republikë demokratike dhe sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Kurti.

Burimi: Dukagjini