Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protesta të reja më 19 nëntor

Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protesta të reja më 19 nëntor

Written by

in

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë paralajmëruar protesta të reja më 19 nëntor, në Prishtinë, duke kërkuar paga meritore dhe kushte më të mira të punës.

Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 11:00, ndërsa u ka bërë thirrje punëtorëve që të vazhdojnë të bashkuar në kërkesat e tyre.

“Vazhdojmë të bashkuar për fëmijët tanë, për familjet tona, për prindërit tanë, për dinjitetin tonë dhe për një të ardhme me paga meritore, që të jemi krenarë për punën që bëjmë në KEK”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata ka shprehur pakënaqësi për pagat e ulëta, punën e rëndë dhe rrezikun e lartë me të cilin përballen punëtorët çdo ditë.

“Jo të varfëruar, jo të nëpërkëmbur, jo të pavlerësuar, jo pa dinjitet dhe jo të lodhur duke humbur shëndetin, duke u varfëruar nga pagat e ulëta, puna e rëndë dhe rreziku i lartë me të cilin përballemi çdo ditë”, thuhet më tej në reagim.

“Të vendosur, vazhdojmë të bashkuar!”, përfundon njoftimi i Sindikatës së Re të KEK-ut.

Burimi: RTKLive