
Aktori i njohur amerikan, Johnny Depp, po përgatitet për një rikthim të rëndësishëm në Hollywood, pas disa vitesh larg produksioneve të mëdha filmike, pas betejave të bujshme ligjore me ish-bashkëshorten Amber Heard.
Depp do të luajë personazhin e Ebenezer Scrooge në filmin e ri “Ebenezer”, një përshtatje e veprës së njohur të Charles Dickens, “A Christmas Carol”, që po realizohet nga studioja Paramount.
Filmi pritet të shfaqet në kinematë amerikane dhe britanike më 13 nëntor, raporton BBC.
Rikthimi i aktorit vjen pas një periudhe të vështirë në karrierën e tij. Në vitin 2020, Depp humbi një proces gjyqësor për shpifje kundër gazetës britanike “The Sun”, e cila e kishte cilësuar si dhunues të ish-bashkëshortes. Pas këtij vendimi, Warner Bros e largoi nga seria “Fantastic Beasts”.
Dy vjet më vonë, ai fitoi një proces gjyqësor për shpifje në SHBA kundër Amber Heard, pas një artikulli të saj në “The Washington Post”. Çështja mori vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe u shndërrua në një nga gjyqet më të komentuara të viteve të fundit.
Tashmë, filmi i ri shihet si një mundësi për Deppin që të rikthehet në qendër të industrisë së filmit. Në trailerin promovues, aktori shfaqet në rolin e Scrooge, ndërsa rikujtohen edhe disa prej personazheve të tij më të njohur, si Jack Sparrow, Edward Scissorhands dhe Mad Hatter.
Megjithatë, rikthimi i tij ka ngjallur edhe reagime të ndryshme në Hollywood. Disa ekspertë të marrëdhënieve me publikun kanë kritikuar mënyrën se si po promovohet filmi, ndërsa të tjerë vlerësojnë se suksesi financiar dhe pritja e publikut mund t’i hapin aktorit rrugën drejt projekteve të tjera të mëdha.
Sipas raportimeve për një shfaqje testuese, filmi ka marrë 86 pikë nga 100, ndërsa parashikimet e faqes “Box Office Theory” flasin për të ardhura mbi 100 milionë dollarë në kinematë amerikane, kundrejt një buxheti të raportuar prej 38 milionë dollarësh.
Një sukses i mundshëm mund t’i hapë Deppit rrugën edhe drejt rikthimit në serinë “Pirates of the Caribbean”. Producenti Jerry Bruckheimer ka bërë të ditur se seria po rikthehet, duke lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së aktorit.
Ndërkohë, Depp pritet të shfaqet edhe në filmin thriller “Day Drinker”, ku luan përkrah aktores Penélope Cruz.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali