Pas rreth pesë orësh është mbyllur sot protesta e thirrur nga studentët në Tiranë, së cilës iu bashkuan edhe qytetarë, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.
Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, ku tubuesit përsëritën thirrjet e tyre, ndërsa gjatë zhvillimit të saj u shënuan disa incidente. Disa protestues u vunë flakën koshave të mbeturinave, duke shkaktuar zjarr dhe tym në zonën e tubimit.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt Zogut të Zi, ku bllokuan qarkullimin rrugor. Gjatë marshimit, disa prej tyre tentuan të shkulin kangjellat e trotuareve, ndërsa u dogjën kosha mbeturinash dhe tabela reklamash.
Forca të shumta policie u angazhuan në terren dhe, përmes megafonëve, u kërkuan protestuesve të lirojnë rrugët dhe të mos pengojnë qarkullimin e automjeteve.
Në vijim, marshimi u zhvendos drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Situata u tensionua më tej pranë godinës së Kryesisë së Kuvendit, ku disa protestues tentuan të thyejnë derën e institucionit.
Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protestat do të vijojnë./ATSH