
Erërat e fuqishme që goditën dje Komunën e Klinës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrjetin elektrik, duke lënë disa fshatra pa furnizim me energji elektrike.
Në mesin e fshatrave të prekura është edhe Qeskova e Klinës, ku erërat e forta kanë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike.
Sipas banorëve, tash e dy ditë kanë mbetur pa energji elektrike. Ata thonë se kanë kërkuar ndërhyrje nga KEDS-i, por, sipas tyre, deri më tani nuk janë marrë masat e nevojshme.
Të gjendur në këtë situatë, banorët janë organizuar vullnetarisht dhe kanë dalë në terren për të ngritur e rregulluar shtyllat e dëmtuara, siç shihet edhe në fotografitë e dërguara në redaksinë e Klina Info.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga KEDS-i për riparimin profesional të rrjetit dhe rikthimin e energjisë elektrike, pasi shtyllat dhe përçuesit e dëmtuar paraqesin rrezik serioz për jetën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali