I udhëhequr nga trajneri Fatos Tabaku, Gjakova e ka përfunduar me sukses garën të shtunën mbrëma, duke e mposhtur në luftën për medaljen e bronztë Anton Shualieievin, i cili përfaqëson Spanjën. Kosovari ka fituar me Ippon.
Gjakova ka pasur një ditë të gjatë dhe ka arritur deri në gjysmëfinale pas katër fitoreve radhazi. Fillimisht, ai e ka mposhtur rumunin Lucian Dumitrescu, më pas ukrainasin Serhii Nebotov dhe Karim Abdulaevin nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Në çerekfinale, ka triumfuar edhe ndaj francezit Nathan Cadignan.
Në gjysmëfinale, xhudisti kosovar ka pësuar humbje nga gjeorgjiani Giorgi Loladze, por në luftën për medaljen e bronztë ka arritur të rikthehet me fitore.
Kjo medalje është e rëndësishme për Gjakovën, i cili synon rikthimin në mesin e xhudistëve më të mirë në botë. Me këtë sukses, ai ka fituar edhe 350 pikë në ranglistën botërore.
Në kategorinë deri në 73 kilogramë ka garuar edhe Dardan Cena, i cili është eliminuar në xhiron e parë pas humbjes nga kazaku Daniyar Shamshayev.
Ndërkohë, për Kosovën në këtë garë ka debutuar edhe Luke Davis, i cili ka humbur në luftën e parë në kategorinë deri në 81 kilogramë nga meksikani Gilberto Cardoso.
Të premten, në Grand Prix të Zagrebit kanë garuan edhe tri xhudiste kosovare, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur të fitojë medalje.
Burimi: RTKLive
