Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në Zefiri, në bashkinë e Filit, Greqi, mesditën e së shtunës.
Dy zjarrfikës, përkatësisht 23 dhe 44 vjeç, kanë humbur jetën pasi një pjesë e ndërtesës ku po ndërhynin u shemb.
Nga incidenti mbeti i plagosur edhe një tjetër zjarrfikës.
Autoritetet po hetojnë nëse dy efektivët humbën jetën nga asfiksia, për shkak të tymit dhe kushteve brenda ndërtesës që ishte përfshirë nga flakët, apo nëse u zunë poshtë nga materialet ndërtimore që u shembën.
Zjarri shpërtheu në një ndërtesë të braktisur në rrugën “Katsantoni”, në bashkinë e Filit.
Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit po ndërhynin brenda ndërtesës së braktisur, një pjesë e saj u shemb, duke shkaktuar alarm për nxjerrjen e efektivëve të bllokuar.
Njëri prej zjarrfikësve u nxor fillimisht pa shenja jete dhe u mor nga një ambulancë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAB), për t’u transportuar në Spitalin Attikon.
Një tjetër u nxor i lënduar, ndërsa informacionet e para bënin të ditur se po kërkohej edhe një zjarrfikës i tretë.
Informacionet e fundit konfirmojnë vdekjen e dy zjarrfikësve dhe lëndimin e një tjetri.
Shkaqet e zjarrit, si dhe rrethanat që çuan në shembjen e një pjese të ndërtesës, vijojnë të jenë nën hetim. /Telegrafi/