
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të shmangë vendimet e papritura gjatë takimit të pritshëm me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, ku pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë.
Merz ka shprehur shqetësimin se takimi mund të përsërisë skenarin e samitit Trump–Putin në Anchorage të Alaskës, i cili në atë kohë ishte konsideruar nga liderët evropianë si një moment me rëndësi të veçantë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Disa këtu në Dublin kanë frikë se kjo mund të shndërrohet në një ‘moment të dytë Anchorage’”, deklaroi Merz.
Ai përcolli një mesazh të qartë për administratën amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të mos ndërmarrë hapa të papritur dhe të vazhdojë të bashkëpunojë me Evropën dhe Ukrainën.
“Prandaj dua ta përcjell shumë qartë mesazhin tonë për Shtetet e Bashkuara: ju lutem, pa surpriza. Vazhdoni të veproni si pjesë e ‘Ekipit Evropë’ dhe ‘Ekipit Ukrainë’”, theksoi kancelari gjerman.
Merz po kërkon gjithashtu që Bashkimi Evropian të sigurojë mbështetje afatgjatë për Ukrainën, në kuadër të negociatave për buxhetin e ardhshëm të unionit. Sipas tij, propozimi ka marrë mbështetje të gjerë, ndonëse një marrëveshje përfundimtare mbetet ende larg.
Kancelari bëri të ditur se, pas takimeve të kësaj jave mes përfaqësuesve amerikanë dhe rusë në Abu Dhabi, negociatat përmbajtësore për paqen pritet të nisin gjatë javëve të ardhshme, kësaj here edhe me pjesëmarrjen e evropianëve.
Ndërkohë, ai kundërshtoi kërkesën e Rusisë që arkitektura e sigurisë evropiane të bëhet pjesë qendrore e negociatave, duke argumentuar se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes NATO-s.
Merz theksoi se diskutimet duhet të përqendrohen në mënyrën se si do të garantohet siguria e Ukrainës pas arritjes së paqes, por nënvizoi se prioritet mbetet përfundimi i luftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali