Kampioni francez i xhudos, Teddy Riner, ka paralajmëruar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale në Francë, duke shkaktuar reagime në skenën politike të vendit, pavarësisht se nuk ka përvojë politike dhe ende nuk ka prezantuar një program konkret, raporton BBC.
37-vjeçari, i lindur në Guadeloupe, është një nga figurat më të njohura të sportit francez. Ai ka fituar pesë medalje të arta olimpike dhe 11 tituj botërorë në xhudo.
Riner e ka prezantuar nismën e tij me sloganin “La France qu’on aime” (Franca që duam), ndërsa në një video të publikuar në rrjetet sociale ka deklaruar se synon ta bashkojë vendin dhe të përmirësojë gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Videoja e tij ka marrë mbi 28 milionë shikime në Instagram dhe X, ndërsa një sondazh i Ifop-it, i realizuar brenda 24 orëve nga publikimi, ka treguar se 22 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se mund ta votonin atë.
Riner ka thënë se nuk e sheh veten as në të majtë dhe as në të djathtë të spektrit politik, duke u shprehur kundër racizmit dhe ekstremizmit, por edhe kundër pasigurisë në rrugë.
“Unë nuk dua ta shoh Francën duke u fundosur nën peshën e borxhit, nuk dua t’i shoh nënat dhe baballarët duke shtrënguar dhëmbët sa herë që bëjnë pazarin javor dhe duke u dridhur nga frika kur fëmijët e tyre dalin në rrugë”, ka deklaruar ai në videon e publikuar të hënën.
Megjithatë, kandidatura e tij vjen në një kohë kur politika franceze po përballet me mungesë të një figure bindëse në qendrën politike, ndërsa Marine Le Pen e së djathtës ekstreme dhe Jean-Luc Mélenchon e së majtës ekstreme shihen si dy prej figurave kryesore në garën presidenciale.
Analistët vlerësojnë se hyrja e Rinerit në garë mund të ndikojë në shpërndarjen e votave të kandidatëve të qendrës, duke e bërë më të vështirë kualifikimin e tyre në raundin e dytë.
Kreu i partisë Franca e Papërkulur, Jean-Luc Mélenchon, ka reaguar me ironi ndaj kandidaturës së tij, duke thënë se shprehja “as i majtë, as i djathtë” nënkupton se nuk është i majtë.
Ndërkaq, presidenti francez Emmanuel Macron e ka përshëndetur vendimin e kampionit olimpik, duke e cilësuar atë si një sportist të madh dhe duke thënë se politika nuk duhet t’u përkasë vetëm profesionistëve.
Riner, megjithatë, ka distancuar veten nga presidenti aktual, duke thënë se nuk është përfaqësues i Macronit dhe as mbështetës i tij politik.
Sipas BBC-së, mbetet e paqartë se si Riner synon ta shndërrojë popullaritetin e fituar në sport në mbështetje politike. Ai ende nuk ka prezantuar ekipin e tij, programin apo qëndrimet konkrete për çështje si reforma e pensioneve, arsimi, kostoja e jetesës, borxhi publik dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.
Burimi: Dukagjini
