
Erling Haaland vazhdon të shkruajë histori me Përfaqësuesen e Norvegjisë. Sulmuesi i Manchester Cityt shënoi në fitoren 3-1 ndaj Uellsit, duke arritur në kuotën e 66 golave në vetëm 60 paraqitje me kombëtaren.
Haaland realizoi nga pika e bardhë në minutën e 88-të, duke vulosur fitoren e Norvegjisë në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Paraprakisht, Antonio Nusa dhe Andreas Schjelderup kishin shënuar në minutat 59 dhe 68, ndërsa David Brooks realizoi golin e vetëm për Uellsin në minutën e 79-të.
Me këtë realizim, Haaland shkoi në kuotën e 11 golave me Norvegjinë gjatë vitit 2026, duke u renditur i treti në listën e golashënuesve të kombëtareve evropiane për këtë vit.
Para tij janë Kylian Mbappé dhe Viktor Gyökeres me nga 12 gola, ndërsa në krye të listës qëndron Harry Kane me 14 realizime.
Megjithatë, ajo që e bën edhe më të veçantë arritjen e Haalandit është efikasiteti i tij para portës. Ai ka shënuar 66 gola në 60 ndeshje ndërkombëtare, duke regjistruar një mesatare prej më shumë se një goli për ndeshje.
Sipas rrjetit francez “Stats Foot”, asnjë futbollist evropian nuk kishte arritur këtë numër golash në 60 paraqitjet e para me Përfaqësuesen A që nga legjenda gjermane Gerd Müller.
Müller e kishte shënuar golin e 66-të ndërkombëtar në paraqitjen e tij të 59-të, por nuk kishte realizuar në ndeshjen e 60-të.
Haaland regjistron shifra mbresëlënëse edhe në nivel klubesh. Sipas statistikave të UEFA-s, norvegjezi ka realizuar 61 gola në 60 paraqitje në Ligën e Kampionëve, duke dëshmuar efikasitet të jashtëzakonshëm në të dyja nivelet.
Sa i përket renditjes në grup, fitorja ndaj Uellsit e ka ngjitur Norvegjinë në vendin e tretë me gjashtë pikë. Danimarka renditet e dyta me nëntë pikë, ndërsa Portugalia kryeson me 12 pikë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali