
Një 67-vjeçare në Gjakovë ka denoncuar djalin e saj për dhunë fizike, keqtrajtim psikik dhe kërcënime me vdekje ndaj saj dhe vajzës së saj. I dyshuari, i cili ishte në arrati, është arrestuar pas disa ditësh kërkimesh dhe është ndaluar për 48 orë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për I.B. 33 vjeçar, i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, S.B. 67 vjeçare, në periudha të ndryshme gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti.
Rasti lidhet me fshatin Bec dhe rrugën “Qelë Binaku” në Gjakovë.
Burimet bëjnë të ditur se viktima kishte deklaruar se ishte përballur me dhunë psikike, ofendime dhe sulme fizike nga djali i saj, por këto incidente nuk i kishte raportuar më herët në Polici.
Situata kishte marrë një kthesë serioze më 9 nëntor, kur gruaja, gjatë një seance gjyqësore në Gjakovë, kishte deklaruar se ishte kërcënuar nga djali me vrasje.
Sipas deklarimit të saj, i dyshuari e kishte kërcënuar se “do ta mbyste atë dhe vajzën e saj”, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë e familjareve.
67-vjeçarja kishte refuzuar trajtimin mjekësor dhe strehimin, duke vendosur të kthehej në shtëpinë e saj. Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, i dyshuari nuk jetonte me nënën që nga muaji qershor.
Pas raportimit të rastit, Policia kishte nisur veprimet për lokalizimin e tij, por ai nuk ishte gjetur fillimisht.
Të shtunën, më 14 nëntor, rreth orës 19:00, i dyshuari është arrestuar nga Policia.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, 33-vjeçari ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.
Pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Dhuna në familje” dhe mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali