
Një grua në Prizren ka zbuluar substancë të dyshuar narkotike në çantën e vëllait të saj, derisa po pastronte një lokal në zonën e Shadërvanit. Por rasti ka edhe një detaj tjetër, i dyshuari ndodhej tashmë në ndalim për një rast të dhunës në familje, ndërsa ndaj tij ishte marrë edhe vendim gjyqësor për paraburgim, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 14 nëntor, rreth orës 11:30, në zonën e Shadërvanit në Prizren.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Jak Laçin, 33 vjeçar, ndërsa substanca e dyshuar është zbuluar nga motra e tij.
Gruaja ka raportuar se, gjatë pastrimit të lokalit, kishte kontrolluar çantën e vëllait dhe brenda saj kishte gjetur substancë që dyshohej të ishte marihuanë.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor në Prizren, së bashku me ekipin e kriminalistikës.
Gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar dy qese najloni me gjithsej 8.45 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Por i dyshuari nuk ishte i lirë në kohën kur u raportua zbulimi.
Sipas burimeve të Sinjalit, Laçi ndodhej në ndalim 48-orësh për një rast tjetër penal, të iniciuar për veprën “Dhuna në familje”.
Për këtë çështje, Gjykata Themelore në Prizren kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Pas konsultimit me Prokurorinë, është vendosur që rasti i posedimit të dyshuar të narkotikëve të vazhdojë në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari të dërgohet në paraburgim në bazë të vendimit gjyqësor për rastin e dhunës në familje.
Hetimet për substancën e sekuestruar do të zhvillohen nga njësia përkatëse për hetimin e narkotikëve në Prizren.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali