
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 14 nëntor 2026 ka realizuar një operacion të gjerë policor të koduar “Heshtja”, në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me goditjen e një grupi të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.
Ky operacion, është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas njoftimit, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore, i cili ka zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, nga personat e dyshuar në nivel drejtues deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.
“Gjatë realizimit të operacionit antidrogë, me asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, patrullave policore të stacioneve të kryeqytetit, Njësisë së Forenzikës dhe Njësisë K9, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit fillestar dhe vazhdimit të tij, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e drogës, para, vetura e pajisje të tjera.
“Rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë. Para të gatshme në valuta të ndryshme, në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë.Gjashtë vetura të markave luksoze dhe të ndryshme, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VË Tiguan.Telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e kundërligjshme. Ora luksoze dhe stoli të çmuara, përfshirë ora të markave Rolex dhe Franck Muller.Një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente dhe shënime të ndryshme që do të trajtohen në kuadër të procedurave hetimore.”, thuhet në njoftim.
Sipas vlerësimeve të bazuara në çmimin e shitjes së kokainës në tregun e rrugës, në njoftim thuhet se sasia e përgjithshme e kokainës së sekuestruar vlerësohet të ketë një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh.
Ndërsa, vlera e përgjithshme e vlerësuar e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat luksoze, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, sipas raportit të rastit, arrin në rreth 301 mijë euro.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda. Hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv