
Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, është gjobitur me 805 milionë euro nga autoritetet italiane për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi ka aksesuar fotografitë dhe videot e përdoruesve pa marrë pëlqimin e tyre të qartë.
Sipas autoritetit italian, përmes aplikacionit Facebook në pajisjet Android, kompania ka pasur akses në fotografi, video dhe të dhëna të tjera të përdoruesve në Itali, pa i informuar siç duhet dhe pa marrë autorizimin e posaçëm për këtë veprim.
Çështja lidhet me një funksion të Facebook-ut, të prezantuar në vitin 2023, i cili u sugjeron përdoruesve fotografi dhe video nga galeria e telefonit për t’i përdorur si ide për postime. Problemi, sipas autoriteteve, është se aplikacioni kërkonte një autorizim të përgjithshëm për aksesin në galeri, pa i bërë të qartë përdoruesit se po lejonte edhe përdorimin e fotografive për këtë funksion.
Autoriteti italian ka kërkuar që Meta të ndryshojë mënyrën e marrjes së lejes, duke u kërkuar përdoruesve një pëlqim të veçantë për aksesimin e galerisë së fotografive. Gjithashtu, kompania duhet të shpjegojë qartë se për çfarë përdoren këto të dhëna dhe si mund të çaktivizohet funksioni.
Sipas autoriteteve, rreth 20 milionë përdorues të Android në Itali janë prekur nga kjo çështje. Në vendimin për gjobën është marrë parasysh edhe fakti se shkelja ka vijuar për një periudhë të gjatë, si dhe mungesa e bashkëpunimit të Meta-s gjatë hetimit.
Nga ana tjetër, Meta ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë gjobën. Një përfaqësues i kompanisë e cilësoi atë si të tepruar dhe tha se kompania nuk është dakord me vlerësimin e autoriteteve.
Kjo është një nga gjobat më të mëdha të vendosura ndonjëherë nga një autoritet italian ndaj një kompanie teknologjike. Vendimi vjen në një kohë kur Meta po përballet edhe me probleme të tjera ligjore lidhur me mënyrën se si përdor të dhënat personale të qytetarëve.
Në fund të tetorit, autoritetet në shtetin amerikan të New Mexico-s urdhëruan kompaninë të paguante 25 miliardë dollarë, pasi dyshohet se për më shumë se një dekadë kishte keqinformuar banorët për mënyrën e përdorimit të të dhënave të tyre.
Ndërkohë, gjoba e vendosur në Itali përbën rreth 0.4% të xhiros vjetore të Meta-s. Kompania raportoi për vitin 2025 të ardhura prej 201 miliardë dollarësh dhe fitim neto prej 60.5 miliardë dollarësh.
Burimi: Insajderi