
Avokati i ish-ministrit të Kosovës, Astrit Haraqija, Korab Bokshi, ka konfirmuar se klienti i tij është ndaluar për 48 orë pas arrestimit në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, i zhvilluar në rajonin e Prishtinës.
Në një deklaratë për Gazetën Insajderi, Bokshi ka bërë të ditur se Haraqija është intervistuar nga Policia lidhur me dyshimet për vepra penale që ndërlidhen me kontrabandimin e narkotikëve.
Sipas avokatit, klienti i tij është pyetur edhe për disa persona, të cilët dyshohet se i njeh për shkak të figurës së tij publike.
Bokshi ka treguar se Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë inkriminuese që lidhet me rastin.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. E kanë ndaluar për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka deklaruar Bokshi.
Avokati ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë lidhur me ndalimin e klientit të tij, ndërsa janë në pritje të vendimit të gjyqtarit.
Ndryshe, Astrit Haraqija është në mesin e personave të arrestuar në operacionin policor “Heshtja”, i zhvilluar më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Burimi: Insajderi