Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija është në mesin e të arrestuarve në aksionin kundër trafikimit të kokainës.
Avokati i tij, Korab Bokshi ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se Haraqija u arrestua nën dyshimin për kontrabandim me narkotikë.
“E kanë arrestuar për veprën penale që dyshohet për kontrabandim me narkotikë. Te familja e Astritit edhe banesa e tij kanë bërë kontroll dhe nuk ka pas kurrgjë inkriminuese. Kanë sekuestruar përkohësisht disa të holla, të cilat kanë qenë kursime të fëmijëve të tij prej punës së tyre- domethënë nuk janë të Astritit fare”, tha Bokshi.
Ai u shpreh se Haraqija u ndalua për 48 orë, vendim për të cilin Bokshi është ankuar.
Avokati Bokshi tha se Haraqija ka mohuar përfshirjen në këtë vepër penale.
“Sipas Astritit, nuk ka të bëjë me këtë vepër fare, për shkak se ai si figurë publike ka mundur të takohet me ndonjë person apo me pas ndonjë komunikim, por kurrë asnjëherë në lidhje me këto vepra penale ose çfarëdo natyre të tillë”, tha avokati Bokshi.
Ndryshe, Policia e Kosovës më herët njoftoi se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)– Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), të shtunën ka realizuar një operacion të gjerë policor të koduar “Heshtja”, në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me goditjen e një grupi të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.
Lidhur me këtë rast, në njoftim u bë e ditur se janë arrestuar gjashtë të dyshuar dhe janë sekuestruar drogë dhe asete tjera në vlerë mbi 300 mijë euro.
Burimi: Dukagjini
