
Christa Pike, e burgosura e dënuar me vdekje në Shtetet e Bashkuara, është liruar nga spitali pas dështimit të ekzekutimit të saj në fund të muajit të kaluar.
50-vjeçarja është kthyer në burgun ku ka kaluar 30 vitet e fundit, ndërsa po vazhdon të marrë kujdes mjekësor, kanë njoftuar avokatët e saj të shtunën.
Pike i mbijetoi dy injeksioneve me pentobarbital, një ilaç që përdoret në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës, më 30 shtator. Pas procedurës së dështuar, ajo mbeti në gjendje kritike.
Sipas avokatëve, gjendja e saj nisi të ndryshonte në fillim të kësaj jave, kur ajo rifitoi vetëdijen dhe filloi të fliste, duke habitur ekspertët, personelin mjekësor dhe ekipin e saj ligjor, shkruan BBC.
Rasti i saj konsiderohet i pazakontë, pasi Pike besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pas një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës.
Në një deklaratë, avokatët thanë se klientja e tyre është mirënjohëse ndaj ekipeve të emergjencës dhe personelit mjekësor për kujdesin e ofruar në këto rrethana të jashtëzakonshme.
Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë trajtimi mjekësor po merr ajo pas kthimit në burg. Më herët, avokatët kishin paralajmëruar se rikuperimi i saj do të ishte i gjatë.
Departamenti i Korrigjimeve i shtetit të Tennessee-t ende nuk ka shpjeguar arsyet pse ekzekutimi nuk shkoi sipas planit, megjithëse ka mbrojtur metodën e përdorur.
Rasti i Christa Pike ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi procedurën e ekzekutimit dhe pasojat e saj, ndërsa rrethanat e plota të dështimit mbeten ende të paqarta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post I mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, e burgosura amerikane kthehet në qeli pas daljes nga spitali appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali