
Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se prej vitesh nuk mund të hyjë në Kosovë dhe se të njëjtën pengesë e kanë edhe anëtarët e familjes së tij, të cilëve, sipas tij, nuk u lejohet as vizita private.
Vuçiqi këto deklarata i bëri duke komentuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë dhe pritjen e tyre nga peshkopi Teodosije në Graçanicë.
Në një paraqitje për emisionin serb “Nacionalni Magazin”, ai tha se vizita e përfaqësuesve të kësaj liste dëshmon, sipas tij, për një trajtim të ndryshëm nga institucionet e Kosovës.
“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë, madje as si qytetar. Askush nga familja ime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa atyre ua lejon”, ka deklaruar Vuçiqi.
Ai u ndal edhe te mënyra se si përfaqësuesit e Listës Studentore e kishin prezantuar vizitën në Kosovë.
Sipas tij, fillimisht ata kishin deklaruar se nuk kishin hyrë në Kosovë si përfaqësues të listës apo si politikanë, por si qytetarë. Megjithatë, në një komunikatë të mëvonshme ishte bërë e ditur se peshkopi Teodosije i kishte pritur si përfaqësues të Listës Studentore.
“E dinin shumë mirë dhe pikërisht për këtë e morën lejen. Askush nga familja ime nuk mund të hyjë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon. Ndërsa atyre ua lejon”, ka thënë ai. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi