Festivali Ndërkombëtar Euro Kosova Art 2026 përmbylli edicionin e 15-të me ekspozitën e hapur më 14 nëntor 2026, në Flori Gallery, në Prishtina Mall.
Në prani të një numri të madh artdashësish, ekspozita prezantoi veprat e krijuara gjatë festivalit nën temën “Një botë e lirë me art”.
Gjatë mbrëmjes së ekspozitës, artisti slloven Anže Gallus Petelin, së bashku me organizatorët e festivalit, i dhuroi ambasadorit të Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, një pikturë të krijuar posaçërisht për të. Ambasadori ishte i pranishëm në hapjen e ekspozitës.
Festivali, që nisi më 8 nëntor, bashkoi artistë nga Shqipëria, Sllovenia, Turqia, Italia, Jordania, Franca, Kroacia, Mali i Zi, Suedia, Maqedonia e Veriut, Siria, Austria, Ukraina dhe Kosova.
Krahas krijimtarisë vizuale, programi përfshiu performanca artistike, një recital poetik, mbrëmje muzikore dhe vizita në muze, galeri e vende të trashëgimisë kulturore, përfshirë vizita në Prizren dhe Prishtinë. Më 13 nëntor, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, u mbajt tryeza “Trendet në artin bashkëkohor”.
Në kuadër të tryezës ligjëroi Marlene Elvira Steinz, historiane e artit dhe kuratore ndërkombëtare nga Austria. Gjatë festivalit, artistët vizituan gjithashtu disa qytete dhe vende të trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës.
Organizatorët falënderuan artistët, stafin organizativ, mediat dhe publikun, si dhe mbështetësit e festivalit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Fushë Kosovës dhe Komunën e Prishtinës.
Ata shprehën mirënjohje edhe për Fakultetin e Arteve, Holiday Resort J & E, Stone Castle, Flori Gallery. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 26 nëntor 2026, në Flori Gallery, në Prishtina Mall. /Telegrafi/