
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka rikonfirmuar synimin e Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).
Përmes një njoftimi në platformën “X”, Konjufca bëri të ditur se këtë qëndrim e ka shpalosur gjatë punimeve të Konferencës së 48-të Ministrore të Frankofonisë, e cila po zhvillohet në Phnom Penh të Kamboxhias.
Gjatë fjalës së tij, kryediplomati kosovar theksoi se vendi ka pjekurinë dhe kapacitetet e nevojshme institucionale për t’i përmbushur të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi i plotë në këtë organizatë ndërkombëtare.
Mesazhi për paqen dhe llogaridhënien
Duke u ndalur te tema e Samitit të 20-të të Frankofonisë, Konjufca vlerësoi se thirrja për riinvestim në paqe ka një domethënie të veçantë për Kosovën, si një shtet që ka ndërtuar demokracinë mbi hirin e luftës.
“Historia e Kosovës e ka formësuar përkushtimin e saj ndaj dialogut dhe bindjen se pajtimi i vërtetë kërkon të vërtetën dhe llogaridhënien”, u shpreh ai, duke shtuar se paqja e qëndrueshme është e domosdoshme për t’u garantuar të rinjve një perspektivë të sigurt për të ardhmen.
Në përmbyllje, Konjufca falënderoi homologun e tij kamboxhian, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Prak Sokhonn, për organizimin dhe drejtimin e konferencës, si dhe Mbretërinë e Kamboxhias për mikpritjen e treguar ndaj delegacionit të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali