
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit antidrogë “Heshtja”, gjatë të cilit u arrestuan gjashtë persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë, që rezultoi me goditjen e një grupi të organizuar kriminal që dyshohet se merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës, shkruan Insajderi.
“Operacioni i koduar ‘Heshtja’, përmes të cilit u arrestuan gjashtë persona të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar”, ka shkruar Sveçla.
Operacioni “Heshtja” është zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Përveç kokainës dhe substancave të tjera narkotike, Policia ka sekuestruar gjashtë vetura luksoze, rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora të shtrenjta, armë, municion dhe pajisje të tjera.
Vlera e përgjithshme e narkotikëve dhe pasurisë së sekuestruar është përllogaritur në rreth 301 mijë euro.
Përveç Haraqijës, në mesin e të arrestuarve janë edhe Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku, Gëzim Feka dhe Baftije Feka. Kjo e fundit është arrestuar më vonë, pasi fillimisht ishte shpallur në kërkim nga Policia. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi