
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka vlerësuar se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i miratuar në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës, përmban paqartësi juridike dhe nuk i adreson plotësisht gjetjet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Menaxheri i projekteve dhe hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi ka thënë se projektligji duhet të rishikohet në mënyrë thelbësore para miratimit përfundimtar, duke theksuar se paqartësitë kryesore lidhen me periudhën retroaktive të zbatimit, statusin e Byrosë dhe sigurinë juridike të qytetarëve që mund t’i nënshtrohen procedurave të konfiskimit.
“Po, e para punës duhet ta theksojmë që ky projektligj dy herë ka, ka dështuar të shkojë tutje nga Gjykata Kushtetuese, pra njëherë është rrëzuar për shkak të përmbajtjes, ndërsa herën tjetër për shkak të procedurës së miratimit. Pavarësisht asaj që ka qenë edhe në procedurën e konsultimeve publike, vlerësojmë që Ministria e Drejtësisë nuk ka arritur që t’i adresojë të gjitha çështjet të cilat janë ngritur në periudhën e konsultimeve publike. Pra kemi miratimin e një projektligji në lexim të parë, i cili nuk i ka adresuar çështjet kryesore që synohet të rregullohen me këtë projektligj”, ka thënë Salihi.
Një nga çështjet që, sipas tij, kërkon sqarim është periudha retroaktive e zbatimit të ligjit, pasi projektligji nuk përcakton qartë se cilat kategori të zyrtarëve do të përfshihen në procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Edhe në analizën e GLPS-së kemi theksuar se aktualisht ky projektligj nuk e ka caktuar afatin retroaktiv. Pra, për cilët zyrtarë do të aplikohet masa e tillë ose konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, pra ata zyrtarë që kanë qenë nga 2008-ta deri më tani, apo për zyrtarët që në 10 vitet e fundit kanë mbajtur pozita publike, ose edhe ata që para 5 viteve kanë lëshuar ato pozita. Pra janë tri afate të cilat aktualisht i ka projektligji për Byronë dhe normalisht që kjo duhet të sqarohet njëherë e mirë për shkak se cenon sigurinë juridike të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Salihi ka ngritur shqetësime edhe për statusin juridik të Byrosë, duke thënë se projektligji nuk përcakton qartë organizimin e saj dhe kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës.
“E dyta, kemi të bëjmë me statusin e Byrosë. Projektligji aktual nuk e definon qartë statusin e Byrosë, nuk paraqet rregulla strikte sa i përket zgjedhjes së drejtorit dhe komisionit mbikëqyrës të këtij mekanizmi. Pra ka dështuar që deri më tani t’i adresojë këto çështje që janë kruciale. Dhe tjetra është që është normalisht një prej kryesoreve është edhe siguria juridike e qytetarëve”, ka thënë Salihi.
Ai ka theksuar se dispozitat e projektligjit duhet të jenë në përputhje me gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht lidhur me ruajtjen e të dhënave financiare, si dhe me opinionet e Komisionit të Venecias.
“Pra duke qenë se edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të parë mbi ligjshmërinë e, ose vlerësimin e këtij projektligji ka theksuar se bankat në Kosovë ose edhe institucionet financiare të tjera nuk i ruajnë të dhënat për një periudhë të gjatë kohore, pra shtatë deri në 10 vite, atëherë duhet të kemi kujdes që edhe dispozitat që i përmban ky projektligj të jenë në linjë me ato të gjetjet e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu ta kemi parasysh që edhe opinionet e Venecias në shumë raste nuk janë përfillur”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Salihi ka thënë se krijimi i një mekanizmi për konfiskimin civil të pasurisë së pajustifikueshme është i mundur, por vetëm nëse ligji garanton respektimin e parimeve kushtetuese dhe të drejtave të qytetarëve.
“Por çka është komplet e rëndësishme në këtë, në krejt këtë procedurë është që tashmë edhe prej Gjykatës sonë Kushtetuese, po edhe prej opinioneve të Venecias, Kosovës i është dhënë drita e gjelbër për me krijuar një mekanizëm të tillë të konfiskimit civil, por çështja mbetet që të rregullohet me një ligj i cili i garanton të gjitha parimet kushtetuese dhe garancitë që i jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në përmbajtjen aktuale që ka projektligji, normalisht që duhet një rishikim thelbësor nga ana e Komisionit për Legjislacion, po edhe komisioneve të tjera, dhe që kur shkon në lexim të dytë dhe nëse miratohet nga Kuvendi, të paktën të hiqen këto dilema dhe të jetë në linjë me gjetjet e Kushtetueses dhe ato të opinioneve të Venecias”, ka thënë ai.
Duke vlerësuar përmbajtjen aktuale të projektligjit, hulumtuesi i GLPS-së ka thënë se ekzistojnë baza për ta kontestuar sërish, nëse nuk adresohen paqartësitë e evidentuara.
“Realisht në draftin aktual që ka projektligji i përmban të gjitha ato dilema dhe ato paqartësi juridike që i ka pasur edhe herët e kaluara kur ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese. Pra ka bazë të mjaftueshme për me u kontestu për shkak se sërish nuk i ka adresuar edhe gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, po edhe ato që ka thënë Komisioni i Venecias. Pra përderisa nuk është definuar qartë se cila do të jetë periudha retroaktive e ligjit, cili do të jetë statusi i Byrosë dhe kriteret për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës, e po ashtu nuk është definuar qartë edhe çështja e sigurisë juridike të palëve që kanë me iu nënshtruar një procedure të tillë, pra janë tri elemente që janë thelbësore dhe nuk mund të kalojë tutje projektligji pa u adresuar në mënyrë të drejtë këto gjetje. GLPS ka ofruar rekomandime konkrete për secilën prej tyre dilemave dhe ajo çka është deri më tani e vlerësojmë që nuk e kanë marrë me seriozitet as Ministria e as Komisioni për Legjislacion kur e ka kaluar edhe Kuvendin në lexim të parë”, ka deklaruar Salihi.
Ai ka shprehur shpresën se këto çështje do të adresohen para përfundimit të procedurës parlamentare, duke e cilësuar luftën kundër korrupsionit si një nga arsyet për krijimin e një mekanizmi të tillë, por duke kërkuar që zbatimi i tij të bëhet brenda garancive kushtetuese.
“Dhe po shpresojmë që brenda këtyre dy leximeve do të adresohen këto gjetjet tona dhe normalisht nëse kjo ka marrë një dritë të gjelbër nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe Venecias, normalisht duhet të krijohet një mekanizëm i tillë, sidomos sa i përket edhe luftës kundër korrupsionit. Përderisa është një mekanizëm që është në kuadër të garancive kushtetuese të Republikës së Kosovës, është mirë që kjo të bëhet, mirëpo gjithmonë duke u respektuar hierarkia kushtetuese dhe këto dilemat sa i përket këtij projektligji aktual”, ka thënë ai.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme më 5 tetor 2026. Projektligji mori 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /EO