Bajrami pas skandalit në Bruksel: Kosova pret sqarim të menjëhershëm

Bajrami pas skandalit në Bruksel: Kosova pret sqarim të menjëhershëm

Written by

in

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Bajrami ka bërë të ditur se koncerti u organizua nga Komisioni Evropian, nën drejtimin e komisionares për Zgjerim, Marta Kos.

“Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një ngjarje zyrtare të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionarja Kos lidhur me mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar ky repertor.

Bajrami ka theksuar se vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me ofrimin e një platforme për pretendime irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Burimi: RTKLive